Përktheu nga frëngjishtja: Xhelal Kurtina
Faqe: 258
Shtëpia botuese: Skanderbeg Books
Foto: Shtëpia e librit
Platforma është libri i tretë i Michel Houllebecq (Mishel Uelbek). Për librin e tij të parë është shkruar këtu në blog. Ndërsa libri i tij i dytë Thërrmijat Elementare mesa di është në proces përkthimi. Para së gjithash duhen thënë dy fjalë rreth Platformës së përkthyer në shqip. Ky libër ka një nevojë të jashtëzakonshme për redaktim dhe korrektim. Çdo faqe e tij gëlon nga gabime gramatikore dhe drejtshkrimore. Hera herës te duket se është çuar për shtyp gabimisht versioni i papërfunduar e jo ai përfundimtar i përkthimit. Për të ardhur keq, kur mendon se Platforma vjen në shqip nga një shtëpi botuese serioze.
Platforma tregon historinë e Mishelit, një zyrtar që për t’i shpëtuar vetmisë që e ka mbërthyer në France ndërmerr një udhëtim turistik në Tailandë. Aty ai njihet me Valerinë, një punonjëse në një agjensi turizmi, dhe më vonë krijon një lidhje me të. Kjo lidhje do ta kthejë Mishelin nga një burrë të pakënaqur nga jeta në një burrë të kënaqur. Për më tepër, shoqërimi me të dhe me Zhan Ivin, kolegun e Valerisë do ta nxisë Mishelin të zhvillojë edhe idetë e tij rreth turizmit seksual si hapi tjetër i madh në industrinë e turizmit. Kjo ide vihet në punë me entuziazëm dhe shumë shpejt rezulton një sukses.
Në njëfarë mënyre Platforma është vazhdimi i letërsisë ekzistenciale në shekullin e 21-të. Libri hapet me vdekjen e babait të personazhit kryesor, gjë që të kujton hapjen e I huaji të Kamysë. Por ky është një ekzistencializëm më hard core, e deri diku më i egër. Në ndryshim nga libri i parë, Uelbek i shtrëngon shumë më pak frenat. Ai është më i drejtpërdrejtë si në ide, si në përshtypje. Ka më shumë mllef ndaj botës, më pak besim tek njerëzit dhe më shumë besim tek e vetmja spirancë e lumturisë në këtë jetë që sipas Uelbekut është vetëm seksi e ç’rrjedh prej tij. Në fakt, nëse do të vazhdonim krahasimin me librin e parë, nëse Zgjerimi i Fushës së Luftës kishte të bënte me mospërmbushjen e nevojave seksuale të personazhit kryesor, Platforma është pikërisht e kundërta. Ajo është si njëmijë e një net seksuale, si një ëndërr mashkullore e kthyer në realitet derisa Uelbeku e shkatërron me duart e tij në fund. Në këtë prizëm, Platforma është më pak natyral sesa libri i parë dhe rrjedhimisht identifikimi i lexuesit me ato që kalon personazhi bëhet më i vështirë.
Por sidoqoftë çdo gjë është më e pranueshme në ato pjesë ku Uelbeku e mban librin në një plan më intim, më individual. Këto janë edhe pjesët më të mira të librit. Ka edhe pjesë të tjera të ndërthurura me të siç janë fragmente të tëra rreth bazave ekonomike të turizmit, të cilat përveç specialistëve të fushës nuk di se kujt mund t‘i duken interesante. Të tjera pjesë janë opinionet për popuj, kultura e fe të ndryshme. Këto vijnë edhe prej personazhit kryesor por janë kryesisht të vëna në gojë të personazheve të tjera, kalimtare e papeshë.
Ashtu si edhe libri i parë, Platforma ka në thelb një aksiomë të vetme e të debatueshme. Atë që njeriut i duhet më pak sesa ai mendon për t’iu afruar lumturisë. Deri këtu mirë. E debatueshme por mirë. Ka një arsye logjike dhe shkon për bukuri me përjetimet e personazhit. Si kundrapeshë e kësaj lumturie librin e përshkon kudo ndjenja e pasigurisë që jepet ndërmjet episodeve absurde të dhunës. Edhe këtu mirë. Mirëpo Uelbek dashje pa dashje nuk i shpëton ngasjes për të dhënë “shpjegime” për këtë dhunë, “shpjegime” këto që nuk janë gjë tjetër veçse një tufë stereotipesh që fundja-fundit nuk shkojnë as mirë me logjikën e brendshme e intime të personazhit e që duken si sajesa për të kokolepsur librin apo për të nxjerrë në sipërfaqe mllefet e autorit.
Vlerësimi 7