Autori: Eduardo Mendoza
Përktheu: Edlira Hoxholli dhe Bashkim Shehu
Faqe 126
Botimet IDK
Eduardo Mendoza është një nga shkrimtarët më të njohur spanjoll. Ai vjen për herë të parë në shqip me një nga librat satirë më të njohur të tij, Asnjë lajm nga Gurbi.
A është ky libri i përkryer për lexuesit dembel? Ka shumë gjasa. Ai nuk është më shumë se 126 faqe, është i shkruar i ndarë në paragrafë jo të gjatë dhe stili nuk është i lodhshëm. Për më tepër ai mund të lexohet i fragmentuar dhe ndërprerjet në lexim, qofshin këto edhe të shpeshta, nuk ia humbin fillin.
Asnjë lajm nga Gurbi ka një subjekt të thjeshtë. Dy jashtëtokësorë ndërmarrin një udhëtim-mision në tokë dhe zbresin në rrethinat e Barcelonës (vendlindja e Mendozës).Për të mos u kuptuar ata vendosin të marrin formë njerëzore. Vartësi (Gurbi) merr formën e Marta Sançes, një nga pop-staret dhe seks simbolet më të njohura spanjolle të asaj kohe. Nuk vonon shumë dhe tek këmbët e saj ndalet një profesor universiteti që e merr në makinën e tij dhe afërmendsh largohet. Gurbi humbet e shefi vihet në kërkim të tij.
Ajo që vazhdon është një tufë peripecish që personazhit kryesor i duhet t’i heqë në kërkim të Gurbit shpesh duke marrë forma njerëzore. Habisë dhe vëzhgimit naiv dhe vrasës i lë vendin përshtatja me atë çka është katalanase, spanjolle e më gjerë tokësore.
Asnjë lajm nga Gurbi, është një satirë dhë si e tillë është e lidhur me konteksin. Libri është shkruar në vitin 1992, në prag të lojrave olimpike qe do të zhvilloheshin në Barcelonë. I shkruar fillimisht si një kolonë në të përditshmen EL Pais, ka në të mjaft referenca të kohës të cilat mund të humbin gjatë leximit. Kështu që kësaj rradhe do te lihet pa u vlerësuar numerikisht. Sidoqoftë një libër që ia vlen të lexohet.
Disa fragmente nga libri vijojnë më poshtë:
21.45 Karikim me energji
21.50 Vesh pizhamet. Mungesa e Gurbit më rëndon në shpirt. Duke qenë se i kemi kaluar bashkë të gjitha mbrëmjet prej tetëqind vjetësh, nuk di si t’i shtyj orët para gjumit. Mund të shihja televizionin lokal, ose të lexoja një fashikull të Lolita Galaktikës por nuk kam qejf. Nuk e shpjegoj dot mungesën e Gurbit dhe ca më pak heshtjen e tij. Kurrë s’kam qenë i rreptë si shef.
08.00 Ende asnjë lajm nga Gurbi. Bie shi me gjyma. Në Barcelonë, shiu bie njëlloj sikurse vepron Bashkia: rrallëherë por rëndshëm. Vendos të mos dal dhe ta shfytëzoj mëngjesin për të pastruar pak anijen.
19.30 Kam një orë që bredh hotel më hotel. Në tërë qytetin s’ka asnjë dhomë të lirë sepse, siç më shpjegojnë, po mbahet një Simpozium mbi Format e Reja të Mbushjes së Gogozhareve, ku kanë shkuar ekspertë nga të gjitha vendet.
20.30 Edhe një orë tjetër kërkimi, si dhe njëfarë praktike në artin e dhënies së bakshishit, më sjellin si rezultat një dhomë me banjë dhe me pamje nga një vepër publike mjaft e rëndësishme. Nëpërmjet një megafoni, recepsionisti më siguron se natën do të ndërpriten punimet e shpimit dhe të shembjes.
09.30 Shkoj në një agjenci pasurish të patundshme….. Më shpien në një sallë ku disa njerëz presin rradhën
10.00 Në sallë hyn një zonjushë dhe na ndan në tre grupe: a) grupi i atyre që duan të blejnë një apartament për të banuar në të; b) grupi i atyre që duan të blejnë një apartament për të pastruar para të pista; dhe c) grupi i atyre që duan të blejnë një apartament në Fshatin Olimpik. Një çift me një foshnjë gjiri dhe unë përbëjmë grupin a.
20.30 Vendos të bëj një shëtitje për t’u kthjelluar. Temperatura, 18 gradë Celsius; lagështia relative, 65 përqind; gjendja e detit, pa dallgë.
24.00 Kthehem në shtëpi. Ende asnjë lajm nga Gurbi. Pizhamet, dhëmbët, Jezu Krishti im i vogël dhe gjumë.

Laurent Chehere, Flying Houses 13