Letersi

Duke rilexuar Ëndërr Mashtruese të Kadaresë

 

enderr mashtruese 2Nuk po merrem me përshtypjet e përgjithshme që të krijon ky libër sepse është  e vështirë e thuajse absurde të ftillosh ndjesitë që të krijon një përmbledhje pa ndonjë kriter tregimesh e novelash, mesa duket e pa botuar sërish. Po merrem më tepër me një ide apo pyetje që më goditi teksa lexoja disa pjesë të tij. Më konkretisht e kam fjalën për tregime të shkurtra si “Mbasditja së cilës i shkonin fjalë të vjetra pleqsh”, “Ur-Libri”, “Kalimet e Nëndheshme” apo dhe një nga kryeveprat e tregimit shqip “Në periferi pranë aeroportit” si dhe novelën “Nata me Hënë”, një skanim i detajuar i meskinitetit shoqëror shqiptar. Pra duke rilexuar këto pjesë pyetja që shtrohet është:

Cfarë natyre do të kishte letërsia e Kadarese (e për rrjedhojë një pjesë e rëndësishme e letërsisë shqipe) nëse ai do të kishte lëvruar më shumë këtë lloj proze të një natyre më intime, lirike e urbane? Pra nëse do të kishim një Kadare të apasionuar më pak pas mitit, eposit, kulisave të politikës e psikologjise së pushtetit e më shumë ndaj asaj që përmenda më sipër, a do të ishte një fitim apo një humbje për letërsinë shqipe?  Apo nuk do të kishte më Kadare?

Një pyetje që breza dhe tipologji të ndryshme njerëzish do t’i përgjigjeshin në forma të ndryshme. Natyrisht që e kuptoj edhe natyrën spekulative të kësaj ideje.  Fundja historia e jeta nuk bëhet me sikur. Por letërsia po…

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , | Lini një koment

Më të mirët e 2013-tës

Thenth of DecemberKëtë fundvit BBC, paraqet për lexuesit një listë që përmban sipas saj librat më të mirë të 2013-tës. Paraqitja mund të shikohet këtu. Pjesë e saj janë libra nga zhanre të ndryshme dhe ka diçka për cilindo tip lexuesi. Sidoqoftë unë do të veçoja dy shkrimtarë të cilët besoj se ia vlejnë të përkthehen edhe në shqip.

I pari është  Aleksandar Hemon (Aleksandër Hemon), boshnjak që jeton prej vitesh në SHBA, ndërsa i dyti është George Saunders (Xhorxh Saunders), shkrimtar amerikan.

George Saunders

George Saunders

Libri i Jetëve të mia i Hemonit është një përmbledhje me ese. Ndërsa amerikani Saunders është lëvrues i prozës së shkurtër dhe libri i tij 10 Dhjetori  ështe një përmbledhje prej dhjetë tregimesh.

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , | Lini një koment

Inati-Philip Roth

inati-philip-rothAutori: Philip Roth

Titulli origjinal: Indignation

Përktheu:  Sokol Bega

Faqe: 188

Shtëpia Botuese: Skanderbeg Books

Foto: Shtëpia e Librit

Inati është historia e një djaloshi hebreo-amerikan i cili jeton nën kujdesin e tepruar të babait dhe vendos te vazhdojë kolegjin sa më larg shtëpisë për të shpëtuar prej tij. Ngjarjet zhvillohen në fillim të viteve 50-të, ndërkohë që SHBA-të janë të përfshira në Luftën e Koresë.

Asgjë të jashtëzakonshme deri këtu. Në fakt, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në të gjithë librin.  Janë aty temat që gjenden me shumicë në shumë libra të tjerë si kalimi në pjekuri, dashuritë e para, konflikti me babanë dhe me autoritetin. Për më tepër me përjashtim të disa segmenteve edhe stili është i stërlexuar. Narracioni është linear dhe ndjek trajta thuajse klasike. Atëherë a është ky një libër i dobët?

Nuk do të thoja kështu. Në fakt, ky është një libër që mund ta marrësh inat, sepse mund të lexosh me dhjetra faqe dhe nuk e kupton se ku do të dalë autori. Dikush mund ta lexojë edhe për inat  sepse ka lexuar psh 60 faqe dhe pasi nuk ka gjetur në to asgjë, do ta shtyjë me kokëfortësi deri në fund. Ndërsa dikush mund edhe ta lerë përgjysëm dhe për këtë nuk mund t’i vihet aspak faj.

Sidoqoftë gjatë gjithë leximit, edhe atëherë kur lexuesi ndihet i mërzitur apo i frustuar, ka një ndjesi se diçka do të ndodhë. Dhe kjo ndjesi mbahet gjallë ngaqë Filip Roth edhe  kur tregon gjëra të stërdëgjuara e bën këtë me një penë të stërvitur. Lexuesi e ndjen që një autor kaq inteligjent nuk e ka hedhur anijen në det të hapur për kaq gjatë për hiçgjë. Diçka pritet të ndodhë.

Dhe diçka vërtet ndodh. Por me një libër që në 50 faqet e para fillon mërzitshëm, e që për pak ka një grimcë gjenialiteti, që kthehet përsëri në mërzi klasike e që shpërthen  vetëm në fund, pra me një libër të tillë a ia vlen t’i hysh leximit?

Pse jo? Fundja-fundit është Filip Roth.

Vlerësimi: 6.8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , | Lini një koment

Libra që ia vlejnë

Më poshtë po përmend disa nga librat që më kanë pëlqyer ndër vite. Disa janë të njohur e disa jo dhe aq.  Vendosen këtu pa ndonje kriter të caktuar.

Cing-David Albahari

CingDavid Albahari është  shkrimtar  bashkëkohor hebre i ish Jugosllavisë i lindur në Pejë. Në shqip i janë përkthyer disa punime. Cing është njeri prej tyre dhe vështirë se gjendet në librari. Por nëse e gjeni mos e lini t’ju shpëtojë. Cing, ashtu si gjithë shkrimet e Albaharit, është një lloj letërsie intime e subtile. Nga ai lloj që nuk të godet në fytyrë e do pak kohë sa të futesh në të por që përfundimisht të shpërblen për mundin. Albahari shkruan për botën gjithherë duke shkruar për familjen e tij. Cing është  rrëfimi i një biri për babanë e tij. Një udhëtim në kujtime e vende dhe një mozaik i fizikalitetit, veseve dhe shpirtërores. E gjitha kjo në një stil jolinear.

Breznitë e Hankonatëve-Ismail Kadare

HankonatetNjë sagë për familjen Hankonate, që nga vendosja e  të parit prej tyre në Gjirokastër e deri disa breza më pas. Në fakt, Kadare nuk është as i pari e as i fundit që ka shkruar një sagë.   Por është mjeshtëria stilistike e të shkruarit të Kadaresë që e veçon atë. Madje mund të thuhet se këtu Kadareja është në kulmin e tij stilistikor. Breznitë e Hankonatëve është një libër që lexohet lehtë. Ai nuk është voluminoz dhe ndahet në pjesë të shkurtra por bukur të plota. Është gjithashtu një nga librat homazh për qytetin e lindjes së autorit. Një kryevepër e vogël e Kadaresë shpesh e lënë në hije. Një nga veprat  më të mira  të tij e rrjedhimisht dhe të letërsisë shqipe.

Gruaja e burgosur në rërë-Kobe Abe

Kobo AbeNjë libër ekzistencial nga japonezi Abe që tregon historinë e një mësuesi të apasionuar pas studimit të insekteve i cili kapet rob në një fshat që lufton me rërën. Mesa di është vepra e vetme e Abes e përkthyer në shqip. Një libër që përkundrejt çdo premise lexohet pa vështirësi. Interesante është se Abe arrin t’i japë një fund plot shpresë një vepre që duket se  shkon drejt mbytjes frustuese. Dhe e gjitha kjo ndodh mjaft natyrshëm.

Dashuria është e verbër-Boris Vian

Boris vianNjë titull që duket klishe por libri nuk është aspak me të tilla. Boris Vian, njeriu shumëplanësh; shkrimtar, xhazist, kritik e inxhinier. I famshëm sa qe gjallë vetëm nëpërmjet librave skandalozë të shkruara nën pseudonim. Ky është libri i parë dhe mesa duket i vetëm i tij i botuar në shqip.  Në fakt është një përmbledhje me disa tregime, nga e cila veçohet tregimi nga i cili ka marrë edhe titullin libri.  Dashuria është e verbër përshkruan skenarin kur një mjegull afrodiziake pushton qytetin. Ashtu si stili i Vianit, ajo është një përpjekje për të ndërtuar një botë të shpenguar.

Gllënjka e parë e birrës-Philippe Delerm

GllenjkaCopëza prozash poetike për gjërat e vogla e të përditshme. Ka aty pak nga të gjitha që nga Rrethi ciklistik i Frances tek llokumet e arabit tek trenat e vjetër e natyrisht deri tek gllënjka e parë e birrës apo kopështi rreth shtëpisë. E kush është ai që shkruan e që nuk i ka tentuar këto? Ndoshta, por askush si Delerm. Tregime tepër të shkurtra. Tepër të ngjeshura gjithashtu.

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , , , , | Lini një koment

Asnjë lajm nga Gurbi-Eduardo Mendoza

Autori: Eduardo Mendoza

Përktheu:  Edlira Hoxholli dhe Bashkim Shehu

Faqe 126

Botimet IDK

Eduardo Mendoza është një nga shkrimtarët më të njohur spanjoll. Ai vjen për herë të parë në shqip me një nga librat satirë më të njohur të tij, Asnjë lajm nga Gurbi.

A është ky libri i përkryer për lexuesit dembel? Ka shumë gjasa. Ai nuk është më shumë se 126 faqe, është i shkruar i ndarë në paragrafë jo të gjatë dhe stili nuk është i lodhshëm. Për më tepër ai mund të lexohet i fragmentuar dhe ndërprerjet në lexim, qofshin këto edhe të shpeshta, nuk ia humbin fillin.

Asnjë lajm nga Gurbi ka një subjekt të thjeshtë. Dy jashtëtokësorë ndërmarrin një udhëtim-mision në tokë dhe zbresin në rrethinat e Barcelonës (vendlindja e Mendozës).Për të mos u kuptuar ata  vendosin të marrin formë njerëzore. Vartësi (Gurbi) merr formën e Marta Sançes, një nga pop-staret dhe seks simbolet më të njohura spanjolle të asaj kohe. Nuk vonon shumë dhe tek këmbët e saj ndalet një profesor universiteti që e merr në makinën e tij dhe afërmendsh largohet. Gurbi humbet e shefi vihet në kërkim të tij.

Ajo që vazhdon është një tufë peripecish që personazhit kryesor i duhet t’i heqë në kërkim të Gurbit shpesh duke marrë forma njerëzore. Habisë dhe vëzhgimit naiv dhe vrasës i lë vendin përshtatja me atë çka është katalanase, spanjolle e më gjerë  tokësore.

Asnjë lajm nga Gurbi, është një satirë dhë si e tillë është e lidhur me konteksin. Libri është shkruar në vitin 1992, në prag të lojrave olimpike qe do të zhvilloheshin në Barcelonë. I shkruar fillimisht si një kolonë në të përditshmen EL Pais, ka në të mjaft referenca të kohës të cilat mund të humbin gjatë leximit. Kështu që kësaj rradhe do te lihet pa u vlerësuar numerikisht. Sidoqoftë një libër që ia vlen të lexohet.

Disa fragmente nga libri vijojnë më poshtë:

21.45 Karikim me energji

21.50 Vesh pizhamet. Mungesa e Gurbit më rëndon në shpirt. Duke qenë se i kemi kaluar bashkë të gjitha mbrëmjet prej tetëqind vjetësh, nuk di si t’i shtyj orët para gjumit. Mund të shihja televizionin lokal, ose të  lexoja një fashikull të Lolita Galaktikës por nuk kam qejf. Nuk e shpjegoj dot mungesën e Gurbit dhe ca më pak heshtjen e tij. Kurrë s’kam qenë i rreptë si shef.

08.00  Ende asnjë lajm nga Gurbi. Bie shi me gjyma. Në Barcelonë, shiu bie njëlloj sikurse vepron Bashkia: rrallëherë por rëndshëm. Vendos të mos dal dhe ta shfytëzoj mëngjesin për të pastruar pak anijen.

 

19.30  Kam një orë që bredh hotel më hotel. Në tërë qytetin s’ka asnjë dhomë të lirë sepse, siç më shpjegojnë, po mbahet një Simpozium mbi Format e Reja të Mbushjes së Gogozhareve, ku kanë shkuar ekspertë nga të gjitha vendet.

20.30  Edhe një orë tjetër kërkimi, si dhe njëfarë praktike në artin e dhënies së bakshishit, më sjellin si rezultat një dhomë me banjë dhe me pamje nga një vepër publike mjaft e rëndësishme. Nëpërmjet një megafoni, recepsionisti më siguron se natën do të ndërpriten punimet e shpimit dhe të shembjes.

 

09.30  Shkoj në një agjenci pasurish të patundshme….. Më shpien në një sallë ku disa njerëz presin rradhën

10.00  Në sallë hyn një zonjushë dhe na ndan në tre grupe: a) grupi i atyre që duan të blejnë një apartament për të banuar në të; b) grupi i atyre që duan të blejnë një apartament për të pastruar para të pista; dhe c) grupi i atyre që duan të blejnë një apartament në Fshatin Olimpik. Një çift me një foshnjë gjiri dhe unë përbëjmë grupin a.

 

20.30   Vendos të bëj një shëtitje për t’u kthjelluar. Temperatura, 18 gradë Celsius; lagështia relative, 65 përqind; gjendja e detit, pa dallgë.

24.00   Kthehem në shtëpi. Ende asnjë lajm nga Gurbi. Pizhamet, dhëmbët, Jezu Krishti im i vogël dhe gjumë.

Laurent Chehere, FLying Houses 13

Laurent Chehere, Flying Houses 13

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , | Lini një koment

Në Hambar- Vladimir Arsenijevic

Autori: Vladimir Arsenijeviç

Përktheu:  ??? Nuk thuhet në libër

Faqe 112

Botimet ??? Nuk thuhet në libër

Vladimir Arsenijeviç është shkrimtar serb i lindur në Kroaci. Në Hambar është romani i tij i parë dhe është fitues i çmimit të revistës NIN si romani më i mirë i vitit 1994. Arsenijeviç është i njohur gjithashtu në Serbi si kritik i ashpër i luftës dhe autoritarizmit.

Në Hambar, fillon me një zhgjëndër, ose më mirë aftësinë e fituar të personazhit kryesor për t’u futur në zhgjëndër. Metafora për shoqërinë serbe por edhe më gjerë jepet kështu e qartë që në fillim. Personazhi kryesor është një burrë te të tridhjetat, i martuar me Anxhelën, një femër të bukur e kryeneçe. Të dy ata presin një fëmi dhe vizitohen shpesh nga Llazari, vëllai ekcentrik i Anxhelës. E gjitha kjo kur në Jugosllavi sapo ka plasur lufta.

Ajo çfarë pason në roman është përshkrimi i jetesës së përditshme me praninë e luftës. Turbullira në familje, thirrje në front, pastaj rënie në betejë apo gjymtim. Njerëz të familjes apo të afërm, pak rëndësi ka. Përjetimi është thuajse i njëjtë dhe përfundimi një dezintegrim i përgjithshëm shoqëror. Është ky një rezultat i luftës apo lufta është rezultat i tij? Vështirë të thuhet por përshtypja që të lë libri favorizon këtë të dytën.

Vladimir Arsenijevic

Në fakt trajtimi i Arsenijeviçit i shkon mirë përshtat atmosferës së përjetimit të luftës nga popullata e thjeshtë. Libri ka një  shkartisje idesh e përjetimesh. Kjo të jep përshtypjen e një hallkatjeje të hidhur-një lloj skizofrenie kolektive. Ka një mpleksje të ankthit me mankthin, një ngatërrim i qëllimshëm reales me halucinanten. Madje edhe fundi është i paqartë dhe të kujton fillimin, vetëm se në këtë rast nuk është thjesht një zhgjëndër individuale.

Mirëpo ato që ia prishin gjithë lezetin këtij romani janë fjalitë e gjata e shpesh të vështira që e kthejnë leximin e librit në një vrapim me pengesa. Në Hambar nuk është një roman i gjatë. Por për shkak të tyre të jep ndjesinë si i tillë.

Një libër i errët, mbytës dhe fragmentar. Si vetë lufta në Ballkan.

Vlerësimi: 6.3

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , | Lini një koment

Platforma-Michel Houllebecq

Autori: Michel Houllebecq

Përktheu nga frëngjishtja: Xhelal Kurtina

Faqe: 258

Shtëpia botuese: Skanderbeg Books

Foto: Shtëpia e librit

Platforma është libri i tretë i Michel Houllebecq (Mishel Uelbek). Për librin e tij të parë është shkruar këtu në blog. Ndërsa libri i tij i dytë Thërrmijat Elementare mesa di është në proces përkthimi. Para së gjithash duhen thënë dy fjalë rreth Platformës së përkthyer në shqip. Ky libër ka një nevojë të jashtëzakonshme për redaktim dhe korrektim. Çdo faqe e tij gëlon nga gabime gramatikore dhe drejtshkrimore. Hera herës te duket se është çuar për shtyp gabimisht versioni i papërfunduar e jo ai përfundimtar i përkthimit. Për të ardhur keq, kur mendon se Platforma vjen në shqip nga një shtëpi botuese serioze.

Platforma tregon historinë e Mishelit, një zyrtar që për t’i shpëtuar vetmisë që e ka mbërthyer në France ndërmerr një udhëtim turistik në Tailandë. Aty ai njihet me Valerinë, një punonjëse në një agjensi turizmi, dhe më vonë krijon një lidhje me të. Kjo lidhje do ta kthejë Mishelin nga një burrë të pakënaqur nga jeta në një burrë të kënaqur. Për më tepër, shoqërimi me të dhe me Zhan Ivin, kolegun e Valerisë do ta nxisë Mishelin të zhvillojë edhe idetë e tij rreth turizmit seksual si hapi tjetër i madh në industrinë e turizmit. Kjo ide vihet në punë me entuziazëm dhe shumë shpejt rezulton një sukses.

Në njëfarë mënyre Platforma është vazhdimi i letërsisë ekzistenciale në shekullin e 21-të. Libri hapet me vdekjen e babait të personazhit kryesor, gjë që të kujton hapjen e I huaji  të Kamysë. Por ky është një ekzistencializëm më hard core, e deri diku më i egër. Në ndryshim nga libri i parë, Uelbek i shtrëngon shumë më pak frenat. Ai është më i drejtpërdrejtë si në ide, si në përshtypje. Ka më shumë mllef ndaj botës, më pak besim tek njerëzit dhe më shumë besim tek e vetmja spirancë e lumturisë në këtë jetë që sipas Uelbekut është vetëm seksi e ç’rrjedh prej tij. Në fakt, nëse do të vazhdonim krahasimin me librin e parë, nëse Zgjerimi i Fushës së Luftës kishte të bënte me mospërmbushjen e nevojave seksuale të personazhit kryesor, Platforma është pikërisht e kundërta. Ajo është si  njëmijë e një net seksuale, si një ëndërr mashkullore e kthyer në realitet derisa Uelbeku e shkatërron me duart e tij në fund. Në këtë prizëm, Platforma është më pak natyral sesa libri i parë dhe rrjedhimisht identifikimi i lexuesit me ato që kalon personazhi bëhet më i vështirë.

Por sidoqoftë çdo gjë është më e pranueshme në ato pjesë ku Uelbeku e mban librin në një plan më intim, më individual. Këto janë edhe pjesët më të mira të librit. Ka edhe pjesë të tjera të ndërthurura me të siç janë fragmente të tëra rreth bazave ekonomike të turizmit, të cilat përveç specialistëve të fushës nuk di se kujt mund t‘i duken interesante. Të tjera pjesë janë opinionet për popuj, kultura e fe të ndryshme. Këto vijnë edhe prej personazhit kryesor por janë kryesisht të vëna në gojë të personazheve të tjera, kalimtare e papeshë.

Ashtu si edhe libri i parë, Platforma ka në thelb një aksiomë të vetme e të debatueshme. Atë që njeriut i duhet më pak sesa ai mendon për t’iu afruar lumturisë. Deri këtu mirë. E debatueshme por mirë. Ka një arsye logjike dhe shkon për bukuri me përjetimet e personazhit. Si kundrapeshë e kësaj lumturie librin e përshkon kudo ndjenja e pasigurisë që jepet ndërmjet episodeve absurde të dhunës. Edhe këtu mirë. Mirëpo Uelbek dashje pa dashje nuk i shpëton ngasjes për të dhënë “shpjegime” për këtë dhunë, “shpjegime” këto që nuk janë gjë tjetër veçse një tufë stereotipesh që fundja-fundit nuk shkojnë as mirë me logjikën e brendshme e intime të personazhit e që duken si sajesa për të kokolepsur librin apo për të nxjerrë në sipërfaqe mllefet e autorit.

Vlerësimi 7

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , | Lini një koment

Amerikani i Qetë- Graham Greene

Autori: Graham Grin

Përktheu:  Betim Muço

Faqe 213

Equinoxes Publishing House, USA

Graham Grin, është i njohur për publikun shqiptar me veprat “Njeriu Ynë në Havanë” dhe “Komedianët”, të dyja këto të përkthyera në shqip para viteve 90-të.

“Amerikani i Qetë” është një nga veprat e tij më të njohura. Ai është shkruar në mesin e viteve 50-të dhe është përkthyer në shqip vetëm këto vitet e fundit. Ngjarjet zhvillohen në Vietnam, në kulmin e konfliktit me ish kolonizatorët francezë, përpara ndërhyrjes amerikane. Romani ka tre personazhe kryesore. Fouleri, një reporter anglez, tërësisht cinik dhe këmbëngulës për të qenë asnjëanës, Pailli (amerikani i qetë), një xhentëllmen i vërtetë por një njeri politkisht naiv dhe pa përvojë dhe Fongu, fillimisht e dashura e Foulerit e më pas Paillit. I gjithë romani vërtitet rreth këtyre personazheve dhe personazhet e tjerë janë aty më shumë për plotësimin e mozaikut.

Në vija të përgjithshme “Amerikani i qetë” është një roman rreth një konflikti dashuror dhe një konflikti politik. Një formulë kjo që haset shpesh. Këto pista janë aq të ndërthurura me njëra tjetrën saqë  është e vështirë të dallosh se kush dominon. Psh Fouleri e përdor të qenit asnjëanës në luftë jo vetëm si kredo politike por edhe si një mekanizëm mbrojtës ndaj problemeve emocionale që i ka me shumicë. Pavarësisht kësaj ai është reporter lufte dhe bie, ngrihet e merr frymë me të.

Në një plan më individual, Fouleri është njeriu që e ndjen realitetin der në kockë e që thellë thellë dëshiron t’i iki atij. Hapat e tij të rëndësishëm janë të pavendosur dhe pa entuziazëm. Përballë gjithë kësaj ai ka zgjedhur të jetë cinik, ekstremisht cinik, aq sa cinizmi i tij rrjedh si ujëvarë në çdo faqe të romanit. Nga ana tjetër, Pailli është njeriu i mirë që me entuziazmin dhe mirësinë e tij naive bën keq. Ndërsa ai përfaqëson njeriun e angazhuar e Fouleri atë të mospërfshirë, Fongu nga ana tjetër është njeriu natyral. Ajo shpesh duket sikur nuk ekziston, sikur është aty thjesht për të marrë frymë e për të shtyrë ditët. Kërkesat e saj janë të thjeshta dhe ajo kënaqet me pak. Mirëpo në fakt ajo është njeriu qe bën atë që i vjen natyrshëm, që as nuk i arratiset dhe as nuk e cyt realitetin.

Grin mbështetet shumë tek dialogu dhe shkëmbimet inteligjente të batutave. Në përgjithësi kjo e bën veprën më të rrjedhshme. Megjithatë nuk e di pse “Amerikani i qetë” më la përshtypjen e një libri me disa oshilacione përsa i përket mbajtjes gjallë të interesit të lexuesit (ndoshta një perceptim tejet individual).

Ashtu si “Njeriu ynë në Havanë” edhe këtu ka një pjesë ku personazhet luajnë me njëri tjetrin, si në kuptimin sportiv dhe në atë psikologjik. Tek “Njeriu ynë në Havanë” është një lojë shahu që luhet me shishka uiski e burboni. Lojtari qe i han një gur (shishkë) kundërshtarit duhet ta pijë atë. Tek “Amerikani i qetë”, luhet tetëdhjetë e njësh (as që e kam idenë ç’është kjo, por mesa kuptoj është nga ato lojra që përcaktohen shumë nga fati). Në të dyja rastet Grin përdor lojën si një metaforë për jetën dhe e spërdhredh atë. Në rastin e lojës së shahut, që është tërësisht racionale dhe strategjike, ai turbullon lojtarin më të mirë që është i detyruar të pijë më shumë e rrjedhimisht të dehet duke u bërë iracional. Në rastin e 81-shit, që është një lojë kryesisht fati personazhi kryesor humb dorë pas dore edhe pse zaret janë të tijtë.

“Amerikani i qetë” është një libër për pamundësinë e mospërfshirjes. Grin mendon se në luftë herët a vonë je i detyruar të mbash një qëndrim. E nuk ke si të mos mendosh se edhe në jetë është e njëjta gjë.

Vlerësimi:  8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , | 2 Komente

Akademia e Bushtrave-Gilles Plazy

Autori: Gilles Plazy

Përktheu: Edmond Tupja

Shtëpia Botuese: Ombra GVG

Të shkruash për bushtrat. Sa e lehtë është diçka e tillë?

Kam përshtypjen se është një përçapje që e kryejnë thuajse gjithë shkrimtarët. Gilles Plazy (Zhil Plazi) gjithashtu. Madje ai i kushton një libër të tërë. Në fakt ky libër ka një histori të veçantë. Atë nuk e kam më dhe prandaj kopertina në krye është ajo e versionit francez. Nuk e kam humbur. Ma vodhën. I vetmi libër që më kanë vjedhur. Asgjë personale me hajdutin, as me aktin e vjedhjes së librave. E konsideroj një veprim fisnik që duhet nxitur më shumë në kohët tona. Mirëpo problemi qëndron se nuk ka kopje tjetër në librari. Kështu që nëse “hajduti” qëllon të lexojë këtë blog është i lutur të ma kthejë. Kjo sepse libri ia vlen vërtet.  Ai është në fakt një galeri personazhesh dhe është i ndarë në dyzet pjesë të vogla, të renditura alfabetikisht sepse secila prej tyre mban emrin femëror të personazhit.

Ajo që të bën për vete tek “Akademia e Bushtrave” është ruajtja e një balance në përqasje dhe në stil. Ky është një libër ku flitet për eros por nuk teprohet me të. Është një libër që merret me përshkrimet e personazheve por nuk trepron me to.  Çdo tregim është i shkurtër dhe sintetik. Nuk ka analiza të detajuara por vetëm një përmbledhje e shkurtër dhe shenja që e ftojnë lexuesin ta ndërtojë vetë “skenën e krimit”. Në këtë mënyrë libri nuk shërben si shuarje kurreshtjeje por si nxitës i saj.

Stili është gjithashtu i ekuilibruar. Ai është një përzierje e stilit gazetaresk dhe atij letrar. Tregimet marrin hera herës formën e një rubrike. Kjo të jep ndjesinë e një ftohtësie në tregim por Plazi e  përzien me dozat e ngrohta të erotikes. E gjitha kjo të bën të mendosh se ato që janë shkruar i kanë kaluar sitës së kohës dhe nuk janë shkruar në zjarr e sipër.

Të shkruash për bushtrat është një sipërmarrje e vështirë. Plazi ia ka dalë më së miri. Në këtë libër nuk ka shfryrje e as mitizim. Në këtë pikë, “objektivizmi” i Plazit është thuajse shkencor dhe rrjedhimisht i frikshëm për një vepër arti, sikur të mos ishin notat e humorit me veten dhe me femrat e mbi të gjitha zakoni i mençur i të marrit të gjërave me shumë sportivitet.

Një vepër e këndshme.

P.S.  Disa nga tregimet e librit mund të gjenden këtu

Vlerësimi: 8.8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , | Lini një koment

Libra që mezi i kam shtyrë

Më poshtë përmenden disa nga librat që mezi i kam shtyrë në lexim. Jo të gjithë librat që mezi i shtyjmë janë domosdoshmërisht të këqinj. Por natyrisht ngaqë leximi i tyre ngec për shkaqe të ndryshme, ata nuk futen tek librat mbreslënës.   E kotë të shtohet që mendimet për to janë tërësisht subjektive, ashtu si edhe mendimet për çdo libër që përmendet në këtë blog. Sidoqoftë ndoshta është rasti për të theksuar atë që tashmë duket qartë: ky blog nuk ndërmerr kritikë letrare.

Shënim: Fotot janë marrë nga Shtëpia e Librit

                                                                                                Lëkura e qenit-Fatos Kongoli

Si shumë nga librat e Kongolit edhe ky është i mbushur me vetëshigjetim të personazhit kryesor dhe brenga të ndërgjegjes.  Ky lloj antiheroi është njëkohësisht edhe një vuajtës i heshtur i kontekstit ku jeton.  Të gjitha këto kanë funksionuar shumë mirë tek “I Humburi”, madje i kanë dhënë një freski të dëshiruar prozës shqipe.  Por tek “Lëkura e qenit” duket sikur Kongoli përsërit vetveten. Në fakt duket se në këtë libër Kongoli nuk ka asgjë të rëndësishme për të treguar. Asgjë që se ka thënë më parë. Por ai vazhdon dhe shkruan më shumë se 250 faqe. Rezultati i të gjithë kësaj është një veleritje. Një libër për t’u harruar.

Pëllumbi dhe tre histori-Patrick Suskind

Çfarë ndodh kur lexon një autor që ka shkruar një kryevepër si “Parfumi”? Natyrshëm që pritshmëritë për të rriten dhe ti dëshiron “dhunshëm” që çdo vepër tjetër e tij të ketë të njëjtën lartësi. Jam i sigurt që çdokush që ka lexuar “Parfumin” është ndjerë i zhgënjyer nga “Pëllumbi”.  Por kjo nuk përbën çudi. Ajo që më habit është fakti se tek ”Parfumi” stili i Suskind është  tepër racional. Për më tepër ky stil përputhet shumë mirë me idetë. Tek “Pëllumbi” është e kunderta. Këtu duket sikur Suskind përleshet me idetë e tij dhe kjo reflektohet edhe në stil. Fjalitë janë më të gjata dhe të pakthjellta.   Sidoqoftë nuk mund të quhet një libër i keq. Thjesht pak i mërzitshëm.

Verbëri-Jose Saramango

Ky libër mbahet si një nga kryeveprat e Saramangos dhe është i pëlqyer gjerësisht mes bibliofilëve. Sidoqoftë është një libër që përveç 20 faqeve të para nuk më ka ngjitur aspak. Ndoshta problemi kryesor qëndron tek naiviteti. Ky është një libër me doza të forta naiviteti dhe me një sens pozitiv komunal deri në kufijtë e idiotizmit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për gjetjen ku një ditë të bukur njerëzit e gjejnë veten të verbuar por për shtjellimin e ngjarjes në rrafshin ideor.  Në fakt, njëfarë doze naiviteti i bën shumë mirë veprës artistike. Madje mund të thuhet se ajo është e nevojshme. Por kur kalohet caku atëherë kjo rrezikon ta fundos veprën. Kjo ka ndodhur me “Verbërinë”. Ose së paku kështu mendoj unë. ..

Shembja e Burrit-Sandro Veronesi

Po sikur babai që keni njohur për të gjithë jetën të mos jetë aspak ashtu siç mendoni? Një frazë e tillë të kujton librat horror por nuk është aspak ashtu. Veronezi, autor italian, na ka dhënë një vepër tërësisht psikologjike dhe reflektive me “Shembja e Burrit”.  Personazhi kryesor zbulon gradualisht edhe veten nëpërmjet zbulimit të së vërtetës rreth babait. Problemi qëndron te stërtjerrja. Veronezi shkruan qëllimisht me fjali të gjata në mënyrë që të krijohet një vorbull psikologjike. Por këto fjali shpesh bëhen të lodhshme, ndërsa reflektimi psikologjik kryhet në kufijtë e një obsesioni. “Shembja e Burrit” nuk është një roman i keq. Por është nga ata që të vel në gjysëm të rrugës dhe për të vazhduar duhet të kesh mide të fortë.

Kryezoti i Unazave-J.R.R. Tolkien

Duhet thënë që në fillim se trilogjia e Tolkien është një vepër e mirë. Është i mahnitshëm fakti që Tolkien ka ndërtuar një botë të tërë të përbërë nga popuj me fizionomi, doke e zakone nga më të larmishmet. Madje ai ka arritur të ngrejë në këmbë dy gjuhë të reja për t’i vënë pastaj në gojën e popujve të Dheut të Mesëm.  Mirëpo “Kryezoti i Unazave” është për të durueshmit. Secili nga tre librat që përbëjnë veprën përmban rreth 500 faqe. Tolkien atë që mund ta thoshte me 5 fjalë e thotë me 50. Librat janë të mbushur me dialogje, kryesisht në funksion të shpjegimit. Dhe meqe librat janë voluminoz shumë ngjarje dhe përshkrime sillen e risillen në mënyrë që lexuesi të rikujtohet.  Për lexuesin durimmadh ndoshta funksionon. Për atë dembel është më mirë të shihet filmi.

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , , | Lini një koment

Blog te WordPress.com.