Akademia e Bushtrave-Gilles Plazy

Autori: Gilles Plazy

Përktheu: Edmond Tupja

Shtëpia Botuese: Ombra GVG

Të shkruash për bushtrat. Sa e lehtë është diçka e tillë?

Kam përshtypjen se është një përçapje që e kryejnë thuajse gjithë shkrimtarët. Gilles Plazy (Zhil Plazi) gjithashtu. Madje ai i kushton një libër të tërë. Në fakt ky libër ka një histori të veçantë. Atë nuk e kam më dhe prandaj kopertina në krye është ajo e versionit francez. Nuk e kam humbur. Ma vodhën. I vetmi libër që më kanë vjedhur. Asgjë personale me hajdutin, as me aktin e vjedhjes së librave. E konsideroj një veprim fisnik që duhet nxitur më shumë në kohët tona. Mirëpo problemi qëndron se nuk ka kopje tjetër në librari. Kështu që nëse “hajduti” qëllon të lexojë këtë blog është i lutur të ma kthejë. Kjo sepse libri ia vlen vërtet.  Ai është në fakt një galeri personazhesh dhe është i ndarë në dyzet pjesë të vogla, të renditura alfabetikisht sepse secila prej tyre mban emrin femëror të personazhit.

Ajo që të bën për vete tek “Akademia e Bushtrave” është ruajtja e një balance në përqasje dhe në stil. Ky është një libër ku flitet për eros por nuk teprohet me të. Është një libër që merret me përshkrimet e personazheve por nuk trepron me to.  Çdo tregim është i shkurtër dhe sintetik. Nuk ka analiza të detajuara por vetëm një përmbledhje e shkurtër dhe shenja që e ftojnë lexuesin ta ndërtojë vetë “skenën e krimit”. Në këtë mënyrë libri nuk shërben si shuarje kurreshtjeje por si nxitës i saj.

Stili është gjithashtu i ekuilibruar. Ai është një përzierje e stilit gazetaresk dhe atij letrar. Tregimet marrin hera herës formën e një rubrike. Kjo të jep ndjesinë e një ftohtësie në tregim por Plazi e  përzien me dozat e ngrohta të erotikes. E gjitha kjo të bën të mendosh se ato që janë shkruar i kanë kaluar sitës së kohës dhe nuk janë shkruar në zjarr e sipër.

Të shkruash për bushtrat është një sipërmarrje e vështirë. Plazi ia ka dalë më së miri. Në këtë libër nuk ka shfryrje e as mitizim. Në këtë pikë, “objektivizmi” i Plazit është thuajse shkencor dhe rrjedhimisht i frikshëm për një vepër arti, sikur të mos ishin notat e humorit me veten dhe me femrat e mbi të gjitha zakoni i mençur i të marrit të gjërave me shumë sportivitet.

Një vepër e këndshme.

P.S.  Disa nga tregimet e librit mund të gjenden këtu

Vlerësimi: 8.8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , | Lini një koment

Libra që mezi i kam shtyrë

Më poshtë përmenden disa nga librat që mezi i kam shtyrë në lexim. Jo të gjithë librat që mezi i shtyjmë janë domosdoshmërisht të këqinj. Por natyrisht ngaqë leximi i tyre ngec për shkaqe të ndryshme, ata nuk futen tek librat mbreslënës.   E kotë të shtohet që mendimet për to janë tërësisht subjektive, ashtu si edhe mendimet për çdo libër që përmendet në këtë blog. Sidoqoftë ndoshta është rasti për të theksuar atë që tashmë duket qartë: ky blog nuk ndërmerr kritikë letrare.

Shënim: Fotot janë marrë nga Shtëpia e Librit

                                                                                                Lëkura e qenit-Fatos Kongoli

Si shumë nga librat e Kongolit edhe ky është i mbushur me vetëshigjetim të personazhit kryesor dhe brenga të ndërgjegjes.  Ky lloj antiheroi është njëkohësisht edhe një vuajtës i heshtur i kontekstit ku jeton.  Të gjitha këto kanë funksionuar shumë mirë tek “I Humburi”, madje i kanë dhënë një freski të dëshiruar prozës shqipe.  Por tek “Lëkura e qenit” duket sikur Kongoli përsërit vetveten. Në fakt duket se në këtë libër Kongoli nuk ka asgjë të rëndësishme për të treguar. Asgjë që se ka thënë më parë. Por ai vazhdon dhe shkruan më shumë se 250 faqe. Rezultati i të gjithë kësaj është një veleritje. Një libër për t’u harruar.

Pëllumbi dhe tre histori-Patrick Suskind

Çfarë ndodh kur lexon një autor që ka shkruar një kryevepër si “Parfumi”? Natyrshëm që pritshmëritë për të rriten dhe ti dëshiron “dhunshëm” që çdo vepër tjetër e tij të ketë të njëjtën lartësi. Jam i sigurt që çdokush që ka lexuar “Parfumin” është ndjerë i zhgënjyer nga “Pëllumbi”.  Por kjo nuk përbën çudi. Ajo që më habit është fakti se tek ”Parfumi” stili i Suskind është  tepër racional. Për më tepër ky stil përputhet shumë mirë me idetë. Tek “Pëllumbi” është e kunderta. Këtu duket sikur Suskind përleshet me idetë e tij dhe kjo reflektohet edhe në stil. Fjalitë janë më të gjata dhe të pakthjellta.   Sidoqoftë nuk mund të quhet një libër i keq. Thjesht pak i mërzitshëm.

Verbëri-Jose Saramango

Ky libër mbahet si një nga kryeveprat e Saramangos dhe është i pëlqyer gjerësisht mes bibliofilëve. Sidoqoftë është një libër që përveç 20 faqeve të para nuk më ka ngjitur aspak. Ndoshta problemi kryesor qëndron tek naiviteti. Ky është një libër me doza të forta naiviteti dhe me një sens pozitiv komunal deri në kufijtë e idiotizmit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për gjetjen ku një ditë të bukur njerëzit e gjejnë veten të verbuar por për shtjellimin e ngjarjes në rrafshin ideor.  Në fakt, njëfarë doze naiviteti i bën shumë mirë veprës artistike. Madje mund të thuhet se ajo është e nevojshme. Por kur kalohet caku atëherë kjo rrezikon ta fundos veprën. Kjo ka ndodhur me “Verbërinë”. Ose së paku kështu mendoj unë. ..

Shembja e Burrit-Sandro Veronesi

Po sikur babai që keni njohur për të gjithë jetën të mos jetë aspak ashtu siç mendoni? Një frazë e tillë të kujton librat horror por nuk është aspak ashtu. Veronezi, autor italian, na ka dhënë një vepër tërësisht psikologjike dhe reflektive me “Shembja e Burrit”.  Personazhi kryesor zbulon gradualisht edhe veten nëpërmjet zbulimit të së vërtetës rreth babait. Problemi qëndron te stërtjerrja. Veronezi shkruan qëllimisht me fjali të gjata në mënyrë që të krijohet një vorbull psikologjike. Por këto fjali shpesh bëhen të lodhshme, ndërsa reflektimi psikologjik kryhet në kufijtë e një obsesioni. “Shembja e Burrit” nuk është një roman i keq. Por është nga ata që të vel në gjysëm të rrugës dhe për të vazhduar duhet të kesh mide të fortë.

Kryezoti i Unazave-J.R.R. Tolkien

Duhet thënë që në fillim se trilogjia e Tolkien është një vepër e mirë. Është i mahnitshëm fakti që Tolkien ka ndërtuar një botë të tërë të përbërë nga popuj me fizionomi, doke e zakone nga më të larmishmet. Madje ai ka arritur të ngrejë në këmbë dy gjuhë të reja për t’i vënë pastaj në gojën e popujve të Dheut të Mesëm.  Mirëpo “Kryezoti i Unazave” është për të durueshmit. Secili nga tre librat që përbëjnë veprën përmban rreth 500 faqe. Tolkien atë që mund ta thoshte me 5 fjalë e thotë me 50. Librat janë të mbushur me dialogje, kryesisht në funksion të shpjegimit. Dhe meqe librat janë voluminoz shumë ngjarje dhe përshkrime sillen e risillen në mënyrë që lexuesi të rikujtohet.  Për lexuesin durimmadh ndoshta funksionon. Për atë dembel është më mirë të shihet filmi.

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , , | Lini një koment

Gjurmë Karmike-Eliot Weinberger

Autori: Eliot Weinberger

Përktheu:  Lluka Qafoku

Faqe 264

Botimet Ideart

Foto: Shtëpia e Librit

“Gadishulli Snaefellsnes në Islandë ka krijuar shoqërinë më të përkryer mbi Tokë, atë prej së cilës të gjithë të tjerët s’kanë asgjë për të mësuar.”

Ky është fillimi i përmbledhjes me ese të  Eliot Weinberger (Eliot Uajnberger), shkrimtar amerikan dhe përkthyes i letërsisë latino-amerikane.  “Gjurmë Karmike” është libri i parë dhe deri tani i vetëm i këtij shkrimtari në shqip.

Përshtypja e parë që të jep ky libër është vështirësia për t’u përtypur. Kjo sepse libri është i larmishëm për nga temat dhe në çdo ese Uajnbereger përmend një mori faktesh, vendesh, karakteresh e madje edhe gjallesash. Ka hera herës edhe ese që preokupohen kryesisht me botën letrare-botë nga vjen autori- dhe kjo i jep librit një diskurs disi teknik për ata që nuk janë pjesë e kësaj bote. Për më tepër Uajnberger është nga ata autorë të cilit nuk i pëlqen te nxitohet për të shprehur një konkluzion dhe e bluan mirë atë që dëshiron ta ndajë.  Shpesh ai nuk konkludon, duke lënë lexuesin të nxjerrë konkluzionet e tij.

Por e gjitha kjo është përshtypja e parë. E vërtëtë, ky libër është i mbushur dëngas me fakte e histori. Kjo i jep atij një karakater thuajse enciklopedik. Nga sagat islandeze, tek minjtë-urithë të zhveshur, nga raxhatë indianë dhe shkrimtarët kolonialë tek formalistët e rinj në letërsi, nga qentë analistë tek Van Meegeren-falsifikatori më i madh i artit, nga thelbi i poezisë tek racizmi, nga seksualiteti tek ëndrrat vikinge, nga sektet e subkulturave në Amerikë tek sheshet e Meksikës. Duket sikur bota e Uajnberger është një koleksion faktesh të magazinuara pa inventar. Në fakt është krejt e kundërta. Teksa vazhdon me leximin e kupton se autori nuk po kryen akrobaci. Ai është tërësisht me këmbë në tokë.  Përmendja e larmisë nuk është një qëllim më vete. Pas çdo fakti apo kurioziteti që ai përmend fshihet një koncept i bluar gjatë. Uajnberg sikur thotë: dakort bota që ne jetojmë është fragmentare dhe e larmishme por ka në të një fill koherent. Ky fill nuk përmendet askund në libër e megjithatë ndihet në çdo faqe të tij. Është edhe si një biçim revolte ndaj enciklopedizmit pa kuptim. Njëkohësisht  është edhe ofrimi i një alternative. Atë të koherencës shpirtërore të njerëzimit.

Natyrisht që Uajnberger nuk është as i pari dhe as i fundit që lëvron esenë. Sidoqoftë me këtë libër ai i ka bërë vend vetes si një prej atyre që e kanë çuar atë në troje të reja.

Vlerësimi: 9

Kategori: Eseistike | Etiketa: , , , , , | Lini një koment

Kështjella-Ismail Kadare

Autori: Ismail Kadare

Faqe 244

Shtëpia Botuese: Naim Frashëri

Më kishte shpëtuar pa lexuar “Kështjella”, një ndër romanet më të hershme të Kadaresë dhe njëkohësisht një nga më emblematikët e letërsisë shqipe. Pjesërisht sepse libri “dekonspiron” veten që në titull duke dhënë qartazi simbolin e gjithë asaj për të cilën bëhet fjalë dhe duke shuar kështu kuriozitetin e parë të lexuesit, që përbën edhe pikënisjen në lexim. Zgjodha versionin e tij të parë të shkruar në 1969 sepse dihet që Ismail Kadare i rishkruan kohë pas kohe romanet e tij duke e konsideruar veprën si një qënie të gjallë që rritet e ndryshon bashkë me shkrimtarin. Për një kritikë të mirëfilltë letrare të asaj kohe mund të drejtoheni këtu. Ndërsa për ndryshimet në kohë që i janë bërë romanit në rrafshin kuptimor mund të shihni këtë artikull.

“Kështjella” bën fjalë për qëndresën e një fortifikimi arbëror ndaj rrethimit të gjatë të ushtrisë perandorake  osmane. Ngjarjet zhvillohen në mesjetë dhe lihet të kuptohet se është periudha para pushtimit osman. Ka dy plane rrëfimi. I pari dhe më i shkurtri është ai i një kronikani të panjohur shqiptar. I dyti, dhe më i rëndësishmi është ai që përshkruan çdo gjë nga pikvështrimi osman. Ky përbën edhe boshtin kryesor tregimtar i cili lejon më pas shtjellimin.

E kapur gjerë, “Kështjella” është një alegori e qëndresës së të voglit kundrejt të madhit.  Por më specifikisht, në periudhën në të cilën u shkrua, ajo është një alegori e qëndresës së Shqipërisë mbas shkëputjes së lidhjeve me Bashkimin Sovietik dhe satelitëve të tij. Duke marrë parasysh këtë të fundit, ky roman nuk konsiderohet si një roman historik. Sidoqoftë mendimi im është se Kadareja gjithnjë ka bërë një rrugë e dy punë në romanet e tij edhe kur ato kanë qenë alegori të pastra. Alegoria qëndron por qëndron në një masë të gjerë edhe dimensioni historik.

Në planin ideor “Kështjella” është përfaqësuese e denjë e mendësisë politike por edhe kulturore të shumicës së shekullit të 20-të por që vazhdon disi edhe sot në Shqipëri. Kam parasysh mendësinë justifikuese dhe bërjes me faj të pushtuesve për çdo mosarritje dhe prapambetje tonën. Andej nga fundi i romanit kronisti shqiptar shkruan:

“Ne nuk do të lëmë pas statuja dhe kolona madhështore. S’patëm kohë dhe mesa duket në pushtimet midis rrebesheve, që do të vijnë, s’do të kemi kohë t’i bëjmë ato.” (f.238)

Në fakt filmat dhe veprat e tjera artistike të pasluftës janë të mbushura me personazhe pushtuesish që variojnë nga të pashpirtët e deri tek qesharakët e perversët e në shumicën e rasteve të gjitha bashkë. Çdo pushtues e kishte njëfare hiseje të tijën, një lloj stereotipizimi që u tirrte e u tirrte. Italianët kishin të tyren, gjermanët po ashtu. Në të gjithë këtë mozaik pushtuesish, duket se turqit i kanë ngarkuar më shumë. Kjo ndoshta edhe pse na kanë mbajtur pushtuar më gjatë por edhe pse ata janë më të largët e rrjedhimisht është më e lehtë t’i projektosh shumë gjëra një pushtuesi më të largët. Në këtë mënyrë turqit janë kthyer në një lloj shtylle totemi të cilës i mvishen shumë cilësi në varësi të shpresave, frustimeve apo dështimeve tona. Kjo gjë ndodh edhe me këtë roman.

Vihen re dy dimensione të qarta tek “Kështjella”. I pari është dimensioni racional dhe i dyti dimensioni etik. Shqiptarët paraqiten kryesisht etikë dhe racionalë (edhe pse ngulmimi në një rezistencë të kotë ndaj superfuqisë së kohës e tradhton pak racionalitetin-dhe kjo ndihet në vepër). Osmanët paraqiten tërësisht joetikë dhe përgjithësisht joracionalë. Në fakt në vepër përshkruhen dy kampe brenda ushtrisë osmane; ai racional (Kryeveqilharxhi, Saruxhai dhe Arkitekt Kauri) dhe ai irracional (Plaku Tavxha, Kurdishxhiu myftiu, etj.). Në këto kampe shfaqet edhe konflikti nëpërmjet të resë e modernes dhe te vjetrës e tradicionales aq i pranishëm në veprat e Kadaresë. Sidoqoftë një vështrim i kujdesshëm zbulon se edhe kampi racional në thelb shtyhet nga një fuqi irracionale. Kështu psh mund të pritet që oficerët racional turq të kërkojnë pushtimin mbi baza të zgjerimit të pasurisë, fuqizimit të perandorisë dhe ngritjes në detyrë. Përkundrazi tek “Kështjella” kjo nuk ndodh dhe madje edhe mes oficerëve të lartë të grupit racional dominon  një shtysë epshore sadiste. Ky rrafshim i diferencave brenda kampit turk ia ul vlerën veprës dhe e kthen atë në një vështrim në thelb bardh e zi.

Po le të merremi me lezetin e një vepre; planin artistik (letrar) të saj. “Kështjella” në fakt dështon në atë që është ndoshta sipërmarrja më e madhe artistike e veprës. Kthimi i vetë kështjellës së rrethuar në personazh në të njëjtën mënyrë siç qyteti i Gjirokastrës arriti të kthehej mjeshtërisht në “Kronikë në Gur” .  Kështjella është gjithë kohën aty, ajo përmendet vazhdimisht dhe është boshti i romanit e megjithatë nuk arrin të krijojë një personalitet. Nuk po ndalem gjatë sepse nuk e kuptoj tërësisht se pse Kadareja nuk ia ka arritur kësaj. Ndoshta kronika e palës shqiptare e pengon këtë-një kronikë që përgjithësisht i fal shumë pak veprës.

Një nga pikat pozitive të romanit është edhe përshkrimi i kampit turk, laryshisë së ngjyrave, reparteve dhe personaliteteve drejtuese të tij, diçka që e mban gjallë veprën në rrafshin estetik. Gjithashtu përshkrimi i skenave aksion, sulmeve të herë pas hershme mbi kështjellë bëhet me një lehtësi të admirueshme nga autori. Tek-tuk pluskojnë në vepër edhe disa elementë psikologjikë të fuqishëm si psh pashai fjalëpakë që fliste shumë në gjumë.

Nga ana tjetër librin e karakterizon një egërsi jo vetëm kuptimore por edhe estetike. Kjo mund të jetë edhe normale, përderisa bëhet fjalë për pushtim dhe luftë e jo për një kamp hipish që dëgjojnë rock and roll. Sidoqoftë tek “Kështjella” kjo merr përmasa banale (gjithnjë në kuptimin artistik) që bien shumë poshtë klasit real të Kadaresë.  Psh ka vazhdimisht skena të përgjakshme aq sa vetja të duket sikur shikon një film horror. Jo nga ata japonezët të cilët janë subtil e rrënqethës por nga ata amerikanët qe janë të mbushura me gjak ulërima e shumë seks. Ka një skenë ku kryemjeku Selim hap barkun e një kështjellari të zënë rob dhe që nuk kishte vdekur akoma për të kuptuar sa ujë pinin të rrethuarit.  Në një skenë tjetër, jeniçerët bëjnë copash (bukfalisht) ndihmësin e kryeinxhinjerit të topave të ushtrisë së tyre. Ndërkohë ushtarët mezi presin të bien në femra që t’i përdhunojnë e pastaj ti kalojnë duar më duar.

Elementi seksual është gjthashtu i pranishëm në roman. Me pavetëdije Kadare ka zbuluar një të vërtetë të madhe të perandorive. Ekspansioni si një tregues i shtrirjes libiduoze ose me gjerë si një zgjerim të erosit (fuqisë jetësore). Por ndërsa kjo gjë përmban në vetvete njëfarë kompleksiteti tek “Kështjella” me vetëdije autori i vesh seksualitetit të osmanëve njëfarë banaliteti degradues. Përshtypja që të le “Kështjella” në këtë aspekt është e njëjtë me të gjitha aspektet e tjera: pushtuesi si nekrofil që është e kundërta e erotikes. Turqit përshkruhen si një turmë e stërmadhe e etur për gjak e seks (klisheja ku shkel turku s’mbin bari përmendet mëse njëherë) dhe që mbahen zap vetëm në saj të rreptësisë së oficerëve të tyre. Nëse ndiqet alegoria e rezistencës së Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik nuk e di si mund të interpretohet kjo lakmi seksuale për femrat shqiptare (sidomos biondet) që përmendet disa herë në vepër?

Dergoni porno

Please send porn!-Na dërgoni porno!

“Kështjella” është një vepër që glorifikon qëndresën ndaj perandorive. Deri në këtë pikë është mëse e kuptueshme dhe mund t’i falen disa gjëra. Problemi me të është se përçon idenë e të huajit pushtues si mbartës së të gjitha llojeve të së keqes e perversitetit. Në këtë prizëm në mos raciste ajo është një vepër reduksioniste e pak dimensionale.

Një ndër romanet më të egër të letërsisë shqipe!

Vlerësimi: 6

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , | 1 Koment

Lëkurzeshkët me sy të florinjtë- Ray Bradbury

Autori: Ray Bradbury

Përktheu:  Erind Myrtaj

Faqe 120

Botimet Ideart

Ray Bradbury (Rei Bredburi) është autor amerikan, kryesisht i fantashkencës, që për publikun shqiptar njihet me veprën “451° Farenhait“.

“Lëkurzeshkët me sy të florinjtë” është një përmbledhje me gjashtë tregime  të larmishme duke filluar nga fantashkenca  deri tek misteri e realizmi. Kështu psh në tregimin titullin e  të cilit mban libri, njerëzit popullojnë Marsin të friguar nga një çmenduri bërthamore në tokë por përjetojnë në të një shndërrim të pazakontë. “Miushët” është historia e një çifti që bën një jetë të izoluar dhe të çuditshme. “Harpa e perëndimit” është një histori misteri dhe gjysëm ëndrre e  disa djaloshëve që gjejnë buzë detit një sirenë. “Aromë sarsaparile”, më i miri tregim sipas meje, është një homazh melankolik i rikthimit por edhe i përjetimeve të hapësirave të reja. “Dhe shkëmbi klithi” është një thriller dramatik, nga ata që të bëjnë të ndihesh keq por që të fal njëkohësisht edhe ngrohtësi.

Ka diçka në tregimet e Bredburit. Shija që ato të lënë është më e mirë sesa ato vetë. Diçka e ngjashme me një koncept-album muzikor, ku rezultati final është më i mirë sesa këngët  e marra një për një. Dhe kjo mendoj për shkak se ai është mjeshtër i ndërtimit të atmosferës duke bërë që lexuesi të rrethohet gradualisht prej saj.  Përfundimi është një shije metafizike që të kujton disi pikturat e De Chirico-s; objekte e rrethana në dukje të zakonshme por të afta të japin ndjesi transedenciale.

"Mberritja"-De Chirico

"Mbërritja"-De Chirico

Pavarësisisht nëse të pëlqen apo jo stili i Bredburit, ky është një libër që ia vlen të lexohet. Të marra një nga një, pothuajse asnjë nga tregimet e tij s’ta mbush mendjen. Sidoqoftë shija që ngelet pas leximit të të gjithave është e mirë.

Vlerësimi: 7.5

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , | Lini një koment

Bukuroshet e Fjetura- Jasunari Kavabata

Autori: Jasunari Kavabata

Përktheu: Lili Bare

Faqe: 79

Shtëpia Botuese: Apollonia 1999

Imagjinoni veten plak që shkon ta kalojë natën në një hotel ku fle (vetem fle) përkrah vajzave të reja lakuriq. Nëse ia arrini atëherë jeni në botën e Kavabatës, këtij ustai të prozës japoneze. E shkruar në 1960, ateherë kur Viagra akoma nuk ekzistonte, “Bukuroshet e fjetura” është novela që ka frymëzuar Gabriel Garsia Markezin me  “Avioni i bukuroshes së fjetur” dhe më vonë “Kujtime kurvash të trishta”. Protagonist është Eguti, një plak 67 vjeçar, i cili i nxitur nga shoku i tij vendos të provojë shërbimet e një shtëpie misterioze dhe me rregulla të forta. Çdo natë e pret në shtrat një vajzë e fjetur, e pamundur të çohet përshkak të marrjes së barnave gjumësjellëse. Çdo natë shërben si një derë emocionesh, disa të harruara e disa krejt të reja dhe si një mundësi më tepër për t’u kredhur në meditim për jetën.

Ka një ndërthurje të psikanalizës dhe ndjeshmërise japoneze për artin në këtë libër. Një sipërmarrje thuajse e pamundur kjo por që  del me sukses. Kur bëhet fjalë për psikanalizën nuk nënkuptoj vetëm atë frojdiane por edhe atë eriksoniane si dhe më tej. Në njëfarë mase trupat e zhveshur të vajzave që kundërmojnë rini shërbejnë si teste projektive për pleqtë në prag të perëndimit.

 Një tjetër ndërthurje është edhe ajo e natyrës me gjendjet e personazheve. Diçka e zakontë kjo në shumë shkrimtarë e veçanërisht tek Kavabata. Ashtu si në çdo vepër tjetër të tij, natyra tek “Bukuroshet e fjetura” nuk ka asnjëherë funksion mbushës. Përkundrazi ajo është tepër organike, diçka që të kujton vizionin e Tarkovskit në fushën filmike.

“Bukuroshet e fjetura” nuk është një libër voluminoz. Sidoqoftë është një nga librat më të ngjeshur që ekziston. Ka aty pak nga të gjitha e mbeshtjellur me psikologji dhe filozofi, eros dhe impotencë.

Një libër i rrallë!

Vleresimi:  9.7

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , , | Lini një koment

Haxhiu i Frakullës dhe Dasma e Sakos-Vath Koreshi

Autori-Vath Koreshi

Faqe: 220

Shtëpia Botuese: Naim Frashëri

Ka edhe ribotime të librave të Koreshit. Megjithatë nuk e di pse dora më shkoi pikërisht tek ky botim në raftet e librarisë ku e bleva. Ka diçka rreth librave të vjetër të botuara para viteve 90-të. Ata nuk janë as të bukur e as cilësorë dhe të gjithë kanë vetëm një stil shkronjash, atë të makinës klasike të shkrimit. E sidoqoftë kanë një magnetizëm që nuk i shmangesh dot. Ndoshta është thjesht nostalgjia, iluzioni për të jetuar përsëri të shkuarën ose ideja se ke në raftet e tua një pjesë sado të vogël të historisë.

Libri është i përbërë prej dy novelash; Haxhiu i Frakullës dhe Dasma e Sakos.

Haxhiu i Frakullës

Haxhiu është një poet i ri e i zoti në Beratin e kohës së Perandorisë Osmane. Jeta e tij do të tronditet ditën që vjen në qytet një nga kronikanët turk më të mëdhenj të perandorisë i shoqëruar nga vajza e tij bukuroshe dhe lozonjare. Kjo e fundit i shpreh dashurinë Aliut dhe i premton se do ta presë dëshpërimisht në Samarkandë, aty ku përfundon udhëtimi i tyre. Pas një hezitimi fillestar, në kundërshtim me këshillat e të afërmve, Haxhiu niset për në vendin e largët.

Haxhiu i Frakullës është një novelë për ndjekjen e një ëndrre (apo iluzioni?). Shkrimi është i mbushur me orientalizma për t’i dhënë atij atmosferën e kohës. Berati dhe njerëzit e tij ndihen në çdo kalldrëm që i shtron udhën librit, herë si përditshmëri e herë si kujtim (pjesa e Samarkandës). Pavarësisht orientalizmave dhe fjalëve historike e krahinore, libri lexohet lehtësisht. Stili i të shkruarit i është përshtatur atmosferës historike të Ballkanit dhe Orientit. Megjithatë hera herës ai  vuan nga stërhollime që më tëpër sesa  idenë e Orientit  tregojnë një karakteristikë që haset shpesh në letërsinë shqipe të para viteve 90-të.

Dasma e Sakos

Një novelë që ka frymëzuar edhe një film me të njëjtin titull me regji të Vladimir Priftit. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Lushnjës në prag të Luftës së Dytë Botërore. Sakoja është një hyzmeqar beqar që punon prej kohësh për llogari të beut të zonës. Ky i fundit, ashtu si edhe babai i tij më përpara, i ka premtuar qëmoti Sakos se në shkëmbim të punës së tij të lakmueshme do t’i gjejë një nuse e do t’i bëjë dasmën. Mirëpo vitet kalojnë e nuse s’ka.

Ashtu si novela e parë edhe kjo duket se është mbështetur fort në tabanin popullor. Aroma e fshatit dhe e tokës ndihen shumë dhe shkrimi është i mbushur me shprehje e fjalë myzeqare. Megjithë këto, stili ka një rrjedhshmëri gati-gati të habitshme dhe lexuesit nuk i rëndohet koka prej leximit. Përkundrazi përshkrimet e dialogjet shkasin.

Një nga problemet e pakta të kësaj novele të këndshme qëndron në faqet e fundit ku autorit i duhet te paguajë “haraçin” ndaj regjimit. Krejt artificialisht  sajohet aty një personazh i “ndriçuar” që e udhëzon Sakon nëpërmjet propagandës. Për fat të mirë kjo zgjat fare pak. Sidoqoftë ky dhe disa pasazhe të tjera mjaftojnë për ta prishur disi atmosferën e leximit.

Vlerësimi për secilën 7.5

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , | Lini një koment

Stambolli – Orhan Pamuk

Autori: Orhan Pamuk

Përktheu nga turqishtja: Rubin Hoxha

Faqe: 412

Shtëpia Botuese: Skanderbeg Books

Foto: Shtëpia e Librit

Të shkruash për veten duke shkruar për qytetin. Ose e anasjellta. Ky është “Stambolli” i Orhan Pamukut. Një libër tërësisht reflektiv e i mbushur me copëza kujtimesh personale e kolektive që lidhen mes tyre si arabeska.

Ka disa tema që përbëjnë boshtin e librit. Është aty jeta familjare, apartamentet ku banojnë dhe përpjekjet artistike të vet rrëfimtarit. Të tjera tema janë karakteri thelbësisht i trishtë i qytetit, melankonia për të shkuarën, problemet identitare të tij si dhe kronikat nga vendasit e të huajt. Pamuk i merr të gjitha këto shtruar, i sqaron, i detajon e më në fund i lidh me njëra-tjetrën në kombinime nga më të ndryshmet. Përpara të shfaqet një botë e tërë me konaket e vjetra, kalldrëmet e ngrohta, kaosin popullor, shkrimtarë të vetmuar që enden periferive e anije që kalojnë Bosforin herë si protagoniste e herë si hije.  Libri shoqërohet me gravura të vjetra, copëza kronikash dhe foto të bëra pjesërisht nga ai vetë ose të afërm të tij.

“Stambolli” është  një  libër voluminoz. Pamuk është shprehur dikur se ai e konsideron veten një maratonomak. Shkruan gjatë e përshkron kilometra të tërë. Fatkeqësisht i tillë duhet të jetë edhe lexuesi i tij. Qejfli maratonash. Përndryshe e humb toruan.  Ne fakt problemi kryesor me librin është pikërisht stërzgjatja e tij. Sikur të mos mjaftojë kjo, Pamuk i sillet e i risillet të njëjtave tema disa herë. Në të ka pjesë të shkëlqyera meditative por përsëritja e stërholluar ia humb tempin dhe e bën atë të vështirë për t’u përtypur.

Një libër që e çon lexuesin në një botë pak të njohur mes kujtimeve personale. Here-herë e mahnit e herë-herë e mërzit.

Vlerësimi: 7

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , | Lini një koment

Zgjerimi i fushës së luftës-Michel Houllebecq

Autori: Michel Houllebecq

Përktheu nga frëngjishtja: Urim Nerguti

Faqe: 152

Shtëpia botuese: Skanderbeg Books

Foto: Skanderbeg Books

Ka qëlluar që ky të jetë romani i parë i Mishel Uelbekut (Michel Houllebecq) dhe romani i parë që lexoj prej tij. Mesa di, nga ky autor janë përkthyer më parë në shqip Platforma dhe Ishulli i mundshëm.

Është e vështirë të përshkruhet se për çfarë bën fjalë ky roman.  Në mënyrë të përmbledhur ai përshkruan rrëshqitjen  në depresion të personazhit kryesor. Por është edhe shumë më tepër se kaq. Është një koleksion reflektimesh mbi veten dhe mbi natyrën njerëzore si dhe sistemet politike. E gjitha kjo me një sinqeritet të pamëshirshëm.

Personazhi kryesor është një tridhjetëvjeçar programues kompjuterik që jeton i vetëm. Me një punë të mirë por pa ndonjë sharm vetjak e pa një jetë të kënaqshme dashurore. Puna e rrethon me njerëz aspak simpatikë si shpirtërisht ashtu edhe fizikisht dhe qënia e tij si një njeri jo i bukur e “ndihmon”  t’i përqaset jobukurisë së të tjerëve pa dorashka. Kështu ndodh edhe me një koleg pune të shëmtuar me të cilin i bie rasti të udhëtoj. Ato që shpalosen më pas, hap pas hapi në libër janë një tufë episodesh herë me lidhje e herë pa lidhje por që kanë të bëjnë kryesisht me udhëtimin si përvojë.

Libri është i shkruar në një një stil minimalist, përveç rasteve kur futen pasazhe nga libra të tjerë apo sprova “filozofike”. Në këto raste stili merr një stërhollim gati-gati akademik, tipik për gjuhën e librave filozofikë. Ka momente kur minimalizimi sjell monotoni por pikërisht atëherë Uelbek lëshon “bombat” (aq karakteristike për të) rreth vetes, të tjerëve e sidomos liberalizmit ekonomik dhe politik. Reflektime këto, që të ardhura nga dikush jo inteligjent dhe të shkëputura nga konteksti mund të dukeshin klishe adoleshentësh të pakënaqur. Sidoqoftë Uelbek  arrin t’ia dali mirë. Ka diçka në përqasjen e tij që të kujton traditën e ekzistencialistëve francezë të Luftës së Dytë Botërore.

Zgjerimi i Fushës së Luftës mund të lexohet në shumë mënyra.  Mendoj se ai është kryesisht një libër për udhëtimin. Udhëtimin e njeriut drejt brendësisë së tij.  Ajo që ai gjen është e errët. E ai nuk ka frikë ta pohojë këtë. Ashtu thjesht e sinqerisht.

Vlerësimi: 8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , | 2 Komente

Ligjet themelore të budallallëkut njerëzor- Carlo M. Cipolla

Autori: Carlo M. Cipolla

Perktheu nga italishtja: Eliana Pilika

Faqe 49

Botimet Linus

Karlo Maria Çipola (1922-2000) ka qenë profesor i historisë së ekonomisë. Kjo ese e botuar në formë libërthi i kushtohet budallallëkut njerëzor dhe mesa duket është e para prej veprave të tij që vjen në shqip.

Duhet thënë që në fillim se fuqia e këtij libërthi nuk qëndron në atë që të thotë gjëra që nuk dihen por në atë që të kujton ato gjëra që nënvleftësohen. Dhe pikërisht nënvleftësimi përbën edhe bazën e Ligjit Të Parë Themelor që sipas Çipolës  është: Gjithmonë dhe në mënyrë të pashmangshme secili prej nesh nënvleftëson numrin e individëve budallenj që ndodhen në qarkullim. Diku më pas ai shton se nuk është vetëm numri që nënvleftësohet por edhe potenciali dëmëprurës i tyre. Budallenjtë kanë pjesën e luanit në libër por Çipola nuk ndalet vetëm tek ta. Për t’i kuptuar sa më mirë, ai merr në shqyrtim  kategoritë e tjera njerëzore si inteligjentët, banditët e leshkot. Sigurisht që ndarja nuk është kaq e lehtë, kështu që Çipola thërret në ndihmë grafikët, dinamikat e shpërndarjes dhe dendurinë (pse nuk më habit ky fakt kur vjen nga një profesor ekonomie?).

Nga niveli mikro në atë makro, nga psikologjia tek kostoja ekonomike dhe shtetërore. Duket sikur Çipola i përmbledh të tëra në pak fletë. Në përgjithësi librat që priren ta bëjnë këtë janë të destinuar drejt populizmit ose dështimit. Në fakt ky libër arrin t’ia dalë pa rënë në asnjë nga këto. Pavarësisht se studiuesit e shkencave sociale mund të tundin kokën dhe të gjejnë hapësira debati pas çdo pike shtjellimi, gjithkush do e gjej nga pak veten në të. Mbi të gjitha ai është shkruar për t’u lexuar lehtësisht nga të gjithë kategoritë e njerëzve. Qofshin këta leshko, inteligjentë, banditë dhe pse jo edhe budallenj…

Vlerësimi i përgjithshëm:  8

Kategori: Eseistike | Etiketa: , , , , , , , | 2 Komente

Blog te WordPress.com.