Autori: Gilles Plazy
Përktheu: Edmond Tupja
Shtëpia Botuese: Ombra GVG
Të shkruash për bushtrat. Sa e lehtë është diçka e tillë?
Kam përshtypjen se është një përçapje që e kryejnë thuajse gjithë shkrimtarët. Gilles Plazy (Zhil Plazi) gjithashtu. Madje ai i kushton një libër të tërë. Në fakt ky libër ka një histori të veçantë. Atë nuk e kam më dhe prandaj kopertina në krye është ajo e versionit francez. Nuk e kam humbur. Ma vodhën. I vetmi libër që më kanë vjedhur. Asgjë personale me hajdutin, as me aktin e vjedhjes së librave. E konsideroj një veprim fisnik që duhet nxitur më shumë në kohët tona. Mirëpo problemi qëndron se nuk ka kopje tjetër në librari. Kështu që nëse “hajduti” qëllon të lexojë këtë blog është i lutur të ma kthejë. Kjo sepse libri ia vlen vërtet. Ai është në fakt një galeri personazhesh dhe është i ndarë në dyzet pjesë të vogla, të renditura alfabetikisht sepse secila prej tyre mban emrin femëror të personazhit.
Ajo që të bën për vete tek “Akademia e Bushtrave” është ruajtja e një balance në përqasje dhe në stil. Ky është një libër ku flitet për eros por nuk teprohet me të. Është një libër që merret me përshkrimet e personazheve por nuk trepron me to. Çdo tregim është i shkurtër dhe sintetik. Nuk ka analiza të detajuara por vetëm një përmbledhje e shkurtër dhe shenja që e ftojnë lexuesin ta ndërtojë vetë “skenën e krimit”. Në këtë mënyrë libri nuk shërben si shuarje kurreshtjeje por si nxitës i saj.
Stili është gjithashtu i ekuilibruar. Ai është një përzierje e stilit gazetaresk dhe atij letrar. Tregimet marrin hera herës formën e një rubrike. Kjo të jep ndjesinë e një ftohtësie në tregim por Plazi e përzien me dozat e ngrohta të erotikes. E gjitha kjo të bën të mendosh se ato që janë shkruar i kanë kaluar sitës së kohës dhe nuk janë shkruar në zjarr e sipër.
Të shkruash për bushtrat është një sipërmarrje e vështirë. Plazi ia ka dalë më së miri. Në këtë libër nuk ka shfryrje e as mitizim. Në këtë pikë, “objektivizmi” i Plazit është thuajse shkencor dhe rrjedhimisht i frikshëm për një vepër arti, sikur të mos ishin notat e humorit me veten dhe me femrat e mbi të gjitha zakoni i mençur i të marrit të gjërave me shumë sportivitet.
Një vepër e këndshme.
P.S. Disa nga tregimet e librit mund të gjenden këtu
Vlerësimi: 8.8