Postime të Etiketuara Me: Boris Vian

Libra që ia vlejnë

Më poshtë po përmend disa nga librat që më kanë pëlqyer ndër vite. Disa janë të njohur e disa jo dhe aq.  Vendosen këtu pa ndonje kriter të caktuar.

Cing-David Albahari

CingDavid Albahari është  shkrimtar  bashkëkohor hebre i ish Jugosllavisë i lindur në Pejë. Në shqip i janë përkthyer disa punime. Cing është njeri prej tyre dhe vështirë se gjendet në librari. Por nëse e gjeni mos e lini t’ju shpëtojë. Cing, ashtu si gjithë shkrimet e Albaharit, është një lloj letërsie intime e subtile. Nga ai lloj që nuk të godet në fytyrë e do pak kohë sa të futesh në të por që përfundimisht të shpërblen për mundin. Albahari shkruan për botën gjithherë duke shkruar për familjen e tij. Cing është  rrëfimi i një biri për babanë e tij. Një udhëtim në kujtime e vende dhe një mozaik i fizikalitetit, veseve dhe shpirtërores. E gjitha kjo në një stil jolinear.

Breznitë e Hankonatëve-Ismail Kadare

HankonatetNjë sagë për familjen Hankonate, që nga vendosja e  të parit prej tyre në Gjirokastër e deri disa breza më pas. Në fakt, Kadare nuk është as i pari e as i fundit që ka shkruar një sagë.   Por është mjeshtëria stilistike e të shkruarit të Kadaresë që e veçon atë. Madje mund të thuhet se këtu Kadareja është në kulmin e tij stilistikor. Breznitë e Hankonatëve është një libër që lexohet lehtë. Ai nuk është voluminoz dhe ndahet në pjesë të shkurtra por bukur të plota. Është gjithashtu një nga librat homazh për qytetin e lindjes së autorit. Një kryevepër e vogël e Kadaresë shpesh e lënë në hije. Një nga veprat  më të mira  të tij e rrjedhimisht dhe të letërsisë shqipe.

Gruaja e burgosur në rërë-Kobe Abe

Kobo AbeNjë libër ekzistencial nga japonezi Abe që tregon historinë e një mësuesi të apasionuar pas studimit të insekteve i cili kapet rob në një fshat që lufton me rërën. Mesa di është vepra e vetme e Abes e përkthyer në shqip. Një libër që përkundrejt çdo premise lexohet pa vështirësi. Interesante është se Abe arrin t’i japë një fund plot shpresë një vepre që duket se  shkon drejt mbytjes frustuese. Dhe e gjitha kjo ndodh mjaft natyrshëm.

Dashuria është e verbër-Boris Vian

Boris vianNjë titull që duket klishe por libri nuk është aspak me të tilla. Boris Vian, njeriu shumëplanësh; shkrimtar, xhazist, kritik e inxhinier. I famshëm sa qe gjallë vetëm nëpërmjet librave skandalozë të shkruara nën pseudonim. Ky është libri i parë dhe mesa duket i vetëm i tij i botuar në shqip.  Në fakt është një përmbledhje me disa tregime, nga e cila veçohet tregimi nga i cili ka marrë edhe titullin libri.  Dashuria është e verbër përshkruan skenarin kur një mjegull afrodiziake pushton qytetin. Ashtu si stili i Vianit, ajo është një përpjekje për të ndërtuar një botë të shpenguar.

Gllënjka e parë e birrës-Philippe Delerm

GllenjkaCopëza prozash poetike për gjërat e vogla e të përditshme. Ka aty pak nga të gjitha që nga Rrethi ciklistik i Frances tek llokumet e arabit tek trenat e vjetër e natyrisht deri tek gllënjka e parë e birrës apo kopështi rreth shtëpisë. E kush është ai që shkruan e që nuk i ka tentuar këto? Ndoshta, por askush si Delerm. Tregime tepër të shkurtra. Tepër të ngjeshura gjithashtu.

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , , , , | Lini një koment

Blog te WordPress.com.