Perktheu nga italishtja: Eliana Pilika
Faqe 49
Botimet Linus
Karlo Maria Çipola (1922-2000) ka qenë profesor i historisë së ekonomisë. Kjo ese e botuar në formë libërthi i kushtohet budallallëkut njerëzor dhe mesa duket është e para prej veprave të tij që vjen në shqip.
Duhet thënë që në fillim se fuqia e këtij libërthi nuk qëndron në atë që të thotë gjëra që nuk dihen por në atë që të kujton ato gjëra që nënvleftësohen. Dhe pikërisht nënvleftësimi përbën edhe bazën e Ligjit Të Parë Themelor që sipas Çipolës është: Gjithmonë dhe në mënyrë të pashmangshme secili prej nesh nënvleftëson numrin e individëve budallenj që ndodhen në qarkullim. Diku më pas ai shton se nuk është vetëm numri që nënvleftësohet por edhe potenciali dëmëprurës i tyre. Budallenjtë kanë pjesën e luanit në libër por Çipola nuk ndalet vetëm tek ta. Për t’i kuptuar sa më mirë, ai merr në shqyrtim kategoritë e tjera njerëzore si inteligjentët, banditët e leshkot. Sigurisht që ndarja nuk është kaq e lehtë, kështu që Çipola thërret në ndihmë grafikët, dinamikat e shpërndarjes dhe dendurinë (pse nuk më habit ky fakt kur vjen nga një profesor ekonomie?).
Nga niveli mikro në atë makro, nga psikologjia tek kostoja ekonomike dhe shtetërore. Duket sikur Çipola i përmbledh të tëra në pak fletë. Në përgjithësi librat që priren ta bëjnë këtë janë të destinuar drejt populizmit ose dështimit. Në fakt ky libër arrin t’ia dalë pa rënë në asnjë nga këto. Pavarësisht se studiuesit e shkencave sociale mund të tundin kokën dhe të gjejnë hapësira debati pas çdo pike shtjellimi, gjithkush do e gjej nga pak veten në të. Mbi të gjitha ai është shkruar për t’u lexuar lehtësisht nga të gjithë kategoritë e njerëzve. Qofshin këta leshko, inteligjentë, banditë dhe pse jo edhe budallenj…
Vlerësimi i përgjithshëm: 8