Postime të Etiketuara Me: ese

Gjurmë Karmike-Eliot Weinberger

Autori: Eliot Weinberger

Përktheu:  Lluka Qafoku

Faqe 264

Botimet Ideart

Foto: Shtëpia e Librit

“Gadishulli Snaefellsnes në Islandë ka krijuar shoqërinë më të përkryer mbi Tokë, atë prej së cilës të gjithë të tjerët s’kanë asgjë për të mësuar.”

Ky është fillimi i përmbledhjes me ese të  Eliot Weinberger (Eliot Uajnberger), shkrimtar amerikan dhe përkthyes i letërsisë latino-amerikane.  “Gjurmë Karmike” është libri i parë dhe deri tani i vetëm i këtij shkrimtari në shqip.

Përshtypja e parë që të jep ky libër është vështirësia për t’u përtypur. Kjo sepse libri është i larmishëm për nga temat dhe në çdo ese Uajnbereger përmend një mori faktesh, vendesh, karakteresh e madje edhe gjallesash. Ka hera herës edhe ese që preokupohen kryesisht me botën letrare-botë nga vjen autori- dhe kjo i jep librit një diskurs disi teknik për ata që nuk janë pjesë e kësaj bote. Për më tepër Uajnberger është nga ata autorë të cilit nuk i pëlqen te nxitohet për të shprehur një konkluzion dhe e bluan mirë atë që dëshiron ta ndajë.  Shpesh ai nuk konkludon, duke lënë lexuesin të nxjerrë konkluzionet e tij.

Por e gjitha kjo është përshtypja e parë. E vërtëtë, ky libër është i mbushur dëngas me fakte e histori. Kjo i jep atij një karakater thuajse enciklopedik. Nga sagat islandeze, tek minjtë-urithë të zhveshur, nga raxhatë indianë dhe shkrimtarët kolonialë tek formalistët e rinj në letërsi, nga qentë analistë tek Van Meegeren-falsifikatori më i madh i artit, nga thelbi i poezisë tek racizmi, nga seksualiteti tek ëndrrat vikinge, nga sektet e subkulturave në Amerikë tek sheshet e Meksikës. Duket sikur bota e Uajnberger është një koleksion faktesh të magazinuara pa inventar. Në fakt është krejt e kundërta. Teksa vazhdon me leximin e kupton se autori nuk po kryen akrobaci. Ai është tërësisht me këmbë në tokë.  Përmendja e larmisë nuk është një qëllim më vete. Pas çdo fakti apo kurioziteti që ai përmend fshihet një koncept i bluar gjatë. Uajnberg sikur thotë: dakort bota që ne jetojmë është fragmentare dhe e larmishme por ka në të një fill koherent. Ky fill nuk përmendet askund në libër e megjithatë ndihet në çdo faqe të tij. Është edhe si një biçim revolte ndaj enciklopedizmit pa kuptim. Njëkohësisht  është edhe ofrimi i një alternative. Atë të koherencës shpirtërore të njerëzimit.

Natyrisht që Uajnberger nuk është as i pari dhe as i fundit që lëvron esenë. Sidoqoftë me këtë libër ai i ka bërë vend vetes si një prej atyre që e kanë çuar atë në troje të reja.

Vlerësimi: 9

Kategori: Eseistike | Etiketa: , , , , , | Lini një koment

Ligjet themelore të budallallëkut njerëzor- Carlo M. Cipolla

Autori: Carlo M. Cipolla

Perktheu nga italishtja: Eliana Pilika

Faqe 49

Botimet Linus

Karlo Maria Çipola (1922-2000) ka qenë profesor i historisë së ekonomisë. Kjo ese e botuar në formë libërthi i kushtohet budallallëkut njerëzor dhe mesa duket është e para prej veprave të tij që vjen në shqip.

Duhet thënë që në fillim se fuqia e këtij libërthi nuk qëndron në atë që të thotë gjëra që nuk dihen por në atë që të kujton ato gjëra që nënvleftësohen. Dhe pikërisht nënvleftësimi përbën edhe bazën e Ligjit Të Parë Themelor që sipas Çipolës  është: Gjithmonë dhe në mënyrë të pashmangshme secili prej nesh nënvleftëson numrin e individëve budallenj që ndodhen në qarkullim. Diku më pas ai shton se nuk është vetëm numri që nënvleftësohet por edhe potenciali dëmëprurës i tyre. Budallenjtë kanë pjesën e luanit në libër por Çipola nuk ndalet vetëm tek ta. Për t’i kuptuar sa më mirë, ai merr në shqyrtim  kategoritë e tjera njerëzore si inteligjentët, banditët e leshkot. Sigurisht që ndarja nuk është kaq e lehtë, kështu që Çipola thërret në ndihmë grafikët, dinamikat e shpërndarjes dhe dendurinë (pse nuk më habit ky fakt kur vjen nga një profesor ekonomie?).

Nga niveli mikro në atë makro, nga psikologjia tek kostoja ekonomike dhe shtetërore. Duket sikur Çipola i përmbledh të tëra në pak fletë. Në përgjithësi librat që priren ta bëjnë këtë janë të destinuar drejt populizmit ose dështimit. Në fakt ky libër arrin t’ia dalë pa rënë në asnjë nga këto. Pavarësisht se studiuesit e shkencave sociale mund të tundin kokën dhe të gjejnë hapësira debati pas çdo pike shtjellimi, gjithkush do e gjej nga pak veten në të. Mbi të gjitha ai është shkruar për t’u lexuar lehtësisht nga të gjithë kategoritë e njerëzve. Qofshin këta leshko, inteligjentë, banditë dhe pse jo edhe budallenj…

Vlerësimi i përgjithshëm:  8

Kategori: Eseistike | Etiketa: , , , , , , , | 2 Komente

Blog te WordPress.com.