Postime të Etiketuara Me: Filip Roth

Inati-Philip Roth

inati-philip-rothAutori: Philip Roth

Titulli origjinal: Indignation

Përktheu:  Sokol Bega

Faqe: 188

Shtëpia Botuese: Skanderbeg Books

Foto: Shtëpia e Librit

Inati është historia e një djaloshi hebreo-amerikan i cili jeton nën kujdesin e tepruar të babait dhe vendos te vazhdojë kolegjin sa më larg shtëpisë për të shpëtuar prej tij. Ngjarjet zhvillohen në fillim të viteve 50-të, ndërkohë që SHBA-të janë të përfshira në Luftën e Koresë.

Asgjë të jashtëzakonshme deri këtu. Në fakt, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në të gjithë librin.  Janë aty temat që gjenden me shumicë në shumë libra të tjerë si kalimi në pjekuri, dashuritë e para, konflikti me babanë dhe me autoritetin. Për më tepër me përjashtim të disa segmenteve edhe stili është i stërlexuar. Narracioni është linear dhe ndjek trajta thuajse klasike. Atëherë a është ky një libër i dobët?

Nuk do të thoja kështu. Në fakt, ky është një libër që mund ta marrësh inat, sepse mund të lexosh me dhjetra faqe dhe nuk e kupton se ku do të dalë autori. Dikush mund ta lexojë edhe për inat  sepse ka lexuar psh 60 faqe dhe pasi nuk ka gjetur në to asgjë, do ta shtyjë me kokëfortësi deri në fund. Ndërsa dikush mund edhe ta lerë përgjysëm dhe për këtë nuk mund t’i vihet aspak faj.

Sidoqoftë gjatë gjithë leximit, edhe atëherë kur lexuesi ndihet i mërzitur apo i frustuar, ka një ndjesi se diçka do të ndodhë. Dhe kjo ndjesi mbahet gjallë ngaqë Filip Roth edhe  kur tregon gjëra të stërdëgjuara e bën këtë me një penë të stërvitur. Lexuesi e ndjen që një autor kaq inteligjent nuk e ka hedhur anijen në det të hapur për kaq gjatë për hiçgjë. Diçka pritet të ndodhë.

Dhe diçka vërtet ndodh. Por me një libër që në 50 faqet e para fillon mërzitshëm, e që për pak ka një grimcë gjenialiteti, që kthehet përsëri në mërzi klasike e që shpërthen  vetëm në fund, pra me një libër të tillë a ia vlen t’i hysh leximit?

Pse jo? Fundja-fundit është Filip Roth.

Vlerësimi: 6.8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , | Lini një koment

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.