Postime të Etiketuara Me: Fongu

Amerikani i Qetë- Graham Greene

Autori: Graham Grin

Përktheu:  Betim Muço

Faqe 213

Equinoxes Publishing House, USA

Graham Grin, është i njohur për publikun shqiptar me veprat “Njeriu Ynë në Havanë” dhe “Komedianët”, të dyja këto të përkthyera në shqip para viteve 90-të.

“Amerikani i Qetë” është një nga veprat e tij më të njohura. Ai është shkruar në mesin e viteve 50-të dhe është përkthyer në shqip vetëm këto vitet e fundit. Ngjarjet zhvillohen në Vietnam, në kulmin e konfliktit me ish kolonizatorët francezë, përpara ndërhyrjes amerikane. Romani ka tre personazhe kryesore. Fouleri, një reporter anglez, tërësisht cinik dhe këmbëngulës për të qenë asnjëanës, Pailli (amerikani i qetë), një xhentëllmen i vërtetë por një njeri politkisht naiv dhe pa përvojë dhe Fongu, fillimisht e dashura e Foulerit e më pas Paillit. I gjithë romani vërtitet rreth këtyre personazheve dhe personazhet e tjerë janë aty më shumë për plotësimin e mozaikut.

Në vija të përgjithshme “Amerikani i qetë” është një roman rreth një konflikti dashuror dhe një konflikti politik. Një formulë kjo që haset shpesh. Këto pista janë aq të ndërthurura me njëra tjetrën saqë  është e vështirë të dallosh se kush dominon. Psh Fouleri e përdor të qenit asnjëanës në luftë jo vetëm si kredo politike por edhe si një mekanizëm mbrojtës ndaj problemeve emocionale që i ka me shumicë. Pavarësisht kësaj ai është reporter lufte dhe bie, ngrihet e merr frymë me të.

Në një plan më individual, Fouleri është njeriu që e ndjen realitetin der në kockë e që thellë thellë dëshiron t’i iki atij. Hapat e tij të rëndësishëm janë të pavendosur dhe pa entuziazëm. Përballë gjithë kësaj ai ka zgjedhur të jetë cinik, ekstremisht cinik, aq sa cinizmi i tij rrjedh si ujëvarë në çdo faqe të romanit. Nga ana tjetër, Pailli është njeriu i mirë që me entuziazmin dhe mirësinë e tij naive bën keq. Ndërsa ai përfaqëson njeriun e angazhuar e Fouleri atë të mospërfshirë, Fongu nga ana tjetër është njeriu natyral. Ajo shpesh duket sikur nuk ekziston, sikur është aty thjesht për të marrë frymë e për të shtyrë ditët. Kërkesat e saj janë të thjeshta dhe ajo kënaqet me pak. Mirëpo në fakt ajo është njeriu qe bën atë që i vjen natyrshëm, që as nuk i arratiset dhe as nuk e cyt realitetin.

Grin mbështetet shumë tek dialogu dhe shkëmbimet inteligjente të batutave. Në përgjithësi kjo e bën veprën më të rrjedhshme. Megjithatë nuk e di pse “Amerikani i qetë” më la përshtypjen e një libri me disa oshilacione përsa i përket mbajtjes gjallë të interesit të lexuesit (ndoshta një perceptim tejet individual).

Ashtu si “Njeriu ynë në Havanë” edhe këtu ka një pjesë ku personazhet luajnë me njëri tjetrin, si në kuptimin sportiv dhe në atë psikologjik. Tek “Njeriu ynë në Havanë” është një lojë shahu që luhet me shishka uiski e burboni. Lojtari qe i han një gur (shishkë) kundërshtarit duhet ta pijë atë. Tek “Amerikani i qetë”, luhet tetëdhjetë e njësh (as që e kam idenë ç’është kjo, por mesa kuptoj është nga ato lojra që përcaktohen shumë nga fati). Në të dyja rastet Grin përdor lojën si një metaforë për jetën dhe e spërdhredh atë. Në rastin e lojës së shahut, që është tërësisht racionale dhe strategjike, ai turbullon lojtarin më të mirë që është i detyruar të pijë më shumë e rrjedhimisht të dehet duke u bërë iracional. Në rastin e 81-shit, që është një lojë kryesisht fati personazhi kryesor humb dorë pas dore edhe pse zaret janë të tijtë.

“Amerikani i qetë” është një libër për pamundësinë e mospërfshirjes. Grin mendon se në luftë herët a vonë je i detyruar të mbash një qëndrim. E nuk ke si të mos mendosh se edhe në jetë është e njëjta gjë.

Vlerësimi:  8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , | 2 Komente

Blog te WordPress.com.