Postime të Etiketuara Me: Kavabata

Bukuroshet e Fjetura- Jasunari Kavabata

Autori: Jasunari Kavabata

Përktheu: Lili Bare

Faqe: 79

Shtëpia Botuese: Apollonia 1999

Imagjinoni veten plak që shkon ta kalojë natën në një hotel ku fle (vetem fle) përkrah vajzave të reja lakuriq. Nëse ia arrini atëherë jeni në botën e Kavabatës, këtij ustai të prozës japoneze. E shkruar në 1960, ateherë kur Viagra akoma nuk ekzistonte, “Bukuroshet e fjetura” është novela që ka frymëzuar Gabriel Garsia Markezin me  “Avioni i bukuroshes së fjetur” dhe më vonë “Kujtime kurvash të trishta”. Protagonist është Eguti, një plak 67 vjeçar, i cili i nxitur nga shoku i tij vendos të provojë shërbimet e një shtëpie misterioze dhe me rregulla të forta. Çdo natë e pret në shtrat një vajzë e fjetur, e pamundur të çohet përshkak të marrjes së barnave gjumësjellëse. Çdo natë shërben si një derë emocionesh, disa të harruara e disa krejt të reja dhe si një mundësi më tepër për t’u kredhur në meditim për jetën.

Ka një ndërthurje të psikanalizës dhe ndjeshmërise japoneze për artin në këtë libër. Një sipërmarrje thuajse e pamundur kjo por që  del me sukses. Kur bëhet fjalë për psikanalizën nuk nënkuptoj vetëm atë frojdiane por edhe atë eriksoniane si dhe më tej. Në njëfarë mase trupat e zhveshur të vajzave që kundërmojnë rini shërbejnë si teste projektive për pleqtë në prag të perëndimit.

 Një tjetër ndërthurje është edhe ajo e natyrës me gjendjet e personazheve. Diçka e zakontë kjo në shumë shkrimtarë e veçanërisht tek Kavabata. Ashtu si në çdo vepër tjetër të tij, natyra tek “Bukuroshet e fjetura” nuk ka asnjëherë funksion mbushës. Përkundrazi ajo është tepër organike, diçka që të kujton vizionin e Tarkovskit në fushën filmike.

“Bukuroshet e fjetura” nuk është një libër voluminoz. Sidoqoftë është një nga librat më të ngjeshur që ekziston. Ka aty pak nga të gjitha e mbeshtjellur me psikologji dhe filozofi, eros dhe impotencë.

Një libër i rrallë!

Vleresimi:  9.7

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , , | Lini një koment

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.