Postime të Etiketuara Me: letersi turke

Stambolli – Orhan Pamuk

Autori: Orhan Pamuk

Përktheu nga turqishtja: Rubin Hoxha

Faqe: 412

Shtëpia Botuese: Skanderbeg Books

Foto: Shtëpia e Librit

Të shkruash për veten duke shkruar për qytetin. Ose e anasjellta. Ky është “Stambolli” i Orhan Pamukut. Një libër tërësisht reflektiv e i mbushur me copëza kujtimesh personale e kolektive që lidhen mes tyre si arabeska.

Ka disa tema që përbëjnë boshtin e librit. Është aty jeta familjare, apartamentet ku banojnë dhe përpjekjet artistike të vet rrëfimtarit. Të tjera tema janë karakteri thelbësisht i trishtë i qytetit, melankonia për të shkuarën, problemet identitare të tij si dhe kronikat nga vendasit e të huajt. Pamuk i merr të gjitha këto shtruar, i sqaron, i detajon e më në fund i lidh me njëra-tjetrën në kombinime nga më të ndryshmet. Përpara të shfaqet një botë e tërë me konaket e vjetra, kalldrëmet e ngrohta, kaosin popullor, shkrimtarë të vetmuar që enden periferive e anije që kalojnë Bosforin herë si protagoniste e herë si hije.  Libri shoqërohet me gravura të vjetra, copëza kronikash dhe foto të bëra pjesërisht nga ai vetë ose të afërm të tij.

“Stambolli” është  një  libër voluminoz. Pamuk është shprehur dikur se ai e konsideron veten një maratonomak. Shkruan gjatë e përshkron kilometra të tërë. Fatkeqësisht i tillë duhet të jetë edhe lexuesi i tij. Qejfli maratonash. Përndryshe e humb toruan.  Ne fakt problemi kryesor me librin është pikërisht stërzgjatja e tij. Sikur të mos mjaftojë kjo, Pamuk i sillet e i risillet të njëjtave tema disa herë. Në të ka pjesë të shkëlqyera meditative por përsëritja e stërholluar ia humb tempin dhe e bën atë të vështirë për t’u përtypur.

Një libër që e çon lexuesin në një botë pak të njohur mes kujtimeve personale. Here-herë e mahnit e herë-herë e mërzit.

Vlerësimi: 7

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , | Lini një koment

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.