Postime të Etiketuara Me: Muzike bashkekohore shqiptare

E zeza e diellit- Muzikë nga Robert Bisha

 Nëse ka sot një muzikant  shqiptar bashkëkohor nga më premtuesit, ky është Robert Bisha.  Sidoqoftë flitet pak për të (kryesisht në internet) për të mos thënë aspak. Robert Bisha është multiinstrumentist dhe kompozitor që lëvron përgjithësisht muzikën instrumentale dhe atë xhaz.  Ai e ushtron aktivitetin e tij në më të shumtën e rasteve në Itali ku edhe ka studiuar.

Përveç  kompozimit të një niveli të lartë, ajo që vihet re tek Bisha është përqasja që ai i bën muzikës së traditës shqiptare. Në pamje të parë nuk ka asgjë të veçantë sepse ka disa muzikantë shqiptarë sot që mbështeten tek tradita për të zhvilluar muzikën e tyre. Sidoqoftë Bisha ngelet një rast i rrallë. Në ndryshim nga të tjerët, ai nuk “shfrytëzon” tabanin muzikor tradicional për të bërë muzikën e tij. Bisha nuk ka rënë as në grackën e ekzotizmit ku bien shpesh muzikantët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët për të mbijetuar në skenën ndërkombëtare i hedhin vetes një vello të veçanësisë duke huazuar vend e pavend motive lokale.

Përkundrazi, tek muzika e Bishës vihet re një qasje krejt tjetër. Të duket se ai nuk mund t’i shmanget traditës shqiptare sepse ai e ka atë pjesë natyrale të vetes.  Ai nuk huazon motive shqiptare thejsht se janë të bukura e do ia zbukurojnë pjesën muzikore. Ai nuk “zhvat” përkundrazi komunikon me motivin tradicional muzikor, e trajton atë me respekt dhe përpiqet të zhvillojë muzikën e tij bazuar tek frymëzimi që gjen në të. Ja pse në pjesët e tij tranzicioni nga motivi i njohur te krijimi  ri është i lëmuar dhe duket se vjen krejt natyrshëm, pa thyerje e vrasje veshi.

 Një mënyrë e tillë trajtimi të kujton poetet klasikë kinezë, poezitë e të cilëve ishin një lloj komunikimi me brezat e mëparshëm dhe krijimet e tyre.  Në mënyrë të ngjashme,  Bisha nuk e percepton muziken e traditës si një gjë që është aty e duhet përdorur ose duhet flakur. Përkundrazi, ai e sheh atë si një pjesë të vetvetes të cilën duhet ta kuptojë, zbërthejë e më tutje ta zhvillojë sëbashku me veten e tij. Ja pse muzika e tij që të jep përshtypjen e një komunikimi me traditën ngelet në të njëjtën kohë një komunikim me vetveten. Dhe ç’është më e bukura ky komunikim ka gjasa të vazhdojë në vitet në vijim. Për të mirën e muzikës dhe të publikut.

Kategori: Muzike | Etiketa: , , , , | Lini një koment

Blog te WordPress.com.