Postime të Etiketuara Me: Ne hambar

Në Hambar- Vladimir Arsenijevic

Autori: Vladimir Arsenijeviç

Përktheu:  ??? Nuk thuhet në libër

Faqe 112

Botimet ??? Nuk thuhet në libër

Vladimir Arsenijeviç është shkrimtar serb i lindur në Kroaci. Në Hambar është romani i tij i parë dhe është fitues i çmimit të revistës NIN si romani më i mirë i vitit 1994. Arsenijeviç është i njohur gjithashtu në Serbi si kritik i ashpër i luftës dhe autoritarizmit.

Në Hambar, fillon me një zhgjëndër, ose më mirë aftësinë e fituar të personazhit kryesor për t’u futur në zhgjëndër. Metafora për shoqërinë serbe por edhe më gjerë jepet kështu e qartë që në fillim. Personazhi kryesor është një burrë te të tridhjetat, i martuar me Anxhelën, një femër të bukur e kryeneçe. Të dy ata presin një fëmi dhe vizitohen shpesh nga Llazari, vëllai ekcentrik i Anxhelës. E gjitha kjo kur në Jugosllavi sapo ka plasur lufta.

Ajo çfarë pason në roman është përshkrimi i jetesës së përditshme me praninë e luftës. Turbullira në familje, thirrje në front, pastaj rënie në betejë apo gjymtim. Njerëz të familjes apo të afërm, pak rëndësi ka. Përjetimi është thuajse i njëjtë dhe përfundimi një dezintegrim i përgjithshëm shoqëror. Është ky një rezultat i luftës apo lufta është rezultat i tij? Vështirë të thuhet por përshtypja që të lë libri favorizon këtë të dytën.

Vladimir Arsenijevic

Në fakt trajtimi i Arsenijeviçit i shkon mirë përshtat atmosferës së përjetimit të luftës nga popullata e thjeshtë. Libri ka një  shkartisje idesh e përjetimesh. Kjo të jep përshtypjen e një hallkatjeje të hidhur-një lloj skizofrenie kolektive. Ka një mpleksje të ankthit me mankthin, një ngatërrim i qëllimshëm reales me halucinanten. Madje edhe fundi është i paqartë dhe të kujton fillimin, vetëm se në këtë rast nuk është thjesht një zhgjëndër individuale.

Mirëpo ato që ia prishin gjithë lezetin këtij romani janë fjalitë e gjata e shpesh të vështira që e kthejnë leximin e librit në një vrapim me pengesa. Në Hambar nuk është një roman i gjatë. Por për shkak të tyre të jep ndjesinë si i tillë.

Një libër i errët, mbytës dhe fragmentar. Si vetë lufta në Ballkan.

Vlerësimi: 6.3

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , | Lini një koment

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.