Postime të Etiketuara Me: Patrick Suskind

Libra që mezi i kam shtyrë

Më poshtë përmenden disa nga librat që mezi i kam shtyrë në lexim. Jo të gjithë librat që mezi i shtyjmë janë domosdoshmërisht të këqinj. Por natyrisht ngaqë leximi i tyre ngec për shkaqe të ndryshme, ata nuk futen tek librat mbreslënës.   E kotë të shtohet që mendimet për to janë tërësisht subjektive, ashtu si edhe mendimet për çdo libër që përmendet në këtë blog. Sidoqoftë ndoshta është rasti për të theksuar atë që tashmë duket qartë: ky blog nuk ndërmerr kritikë letrare.

Shënim: Fotot janë marrë nga Shtëpia e Librit

                                                                                                Lëkura e qenit-Fatos Kongoli

Si shumë nga librat e Kongolit edhe ky është i mbushur me vetëshigjetim të personazhit kryesor dhe brenga të ndërgjegjes.  Ky lloj antiheroi është njëkohësisht edhe një vuajtës i heshtur i kontekstit ku jeton.  Të gjitha këto kanë funksionuar shumë mirë tek “I Humburi”, madje i kanë dhënë një freski të dëshiruar prozës shqipe.  Por tek “Lëkura e qenit” duket sikur Kongoli përsërit vetveten. Në fakt duket se në këtë libër Kongoli nuk ka asgjë të rëndësishme për të treguar. Asgjë që se ka thënë më parë. Por ai vazhdon dhe shkruan më shumë se 250 faqe. Rezultati i të gjithë kësaj është një veleritje. Një libër për t’u harruar.

Pëllumbi dhe tre histori-Patrick Suskind

Çfarë ndodh kur lexon një autor që ka shkruar një kryevepër si “Parfumi”? Natyrshëm që pritshmëritë për të rriten dhe ti dëshiron “dhunshëm” që çdo vepër tjetër e tij të ketë të njëjtën lartësi. Jam i sigurt që çdokush që ka lexuar “Parfumin” është ndjerë i zhgënjyer nga “Pëllumbi”.  Por kjo nuk përbën çudi. Ajo që më habit është fakti se tek ”Parfumi” stili i Suskind është  tepër racional. Për më tepër ky stil përputhet shumë mirë me idetë. Tek “Pëllumbi” është e kunderta. Këtu duket sikur Suskind përleshet me idetë e tij dhe kjo reflektohet edhe në stil. Fjalitë janë më të gjata dhe të pakthjellta.   Sidoqoftë nuk mund të quhet një libër i keq. Thjesht pak i mërzitshëm.

Verbëri-Jose Saramango

Ky libër mbahet si një nga kryeveprat e Saramangos dhe është i pëlqyer gjerësisht mes bibliofilëve. Sidoqoftë është një libër që përveç 20 faqeve të para nuk më ka ngjitur aspak. Ndoshta problemi kryesor qëndron tek naiviteti. Ky është një libër me doza të forta naiviteti dhe me një sens pozitiv komunal deri në kufijtë e idiotizmit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për gjetjen ku një ditë të bukur njerëzit e gjejnë veten të verbuar por për shtjellimin e ngjarjes në rrafshin ideor.  Në fakt, njëfarë doze naiviteti i bën shumë mirë veprës artistike. Madje mund të thuhet se ajo është e nevojshme. Por kur kalohet caku atëherë kjo rrezikon ta fundos veprën. Kjo ka ndodhur me “Verbërinë”. Ose së paku kështu mendoj unë. ..

Shembja e Burrit-Sandro Veronesi

Po sikur babai që keni njohur për të gjithë jetën të mos jetë aspak ashtu siç mendoni? Një frazë e tillë të kujton librat horror por nuk është aspak ashtu. Veronezi, autor italian, na ka dhënë një vepër tërësisht psikologjike dhe reflektive me “Shembja e Burrit”.  Personazhi kryesor zbulon gradualisht edhe veten nëpërmjet zbulimit të së vërtetës rreth babait. Problemi qëndron te stërtjerrja. Veronezi shkruan qëllimisht me fjali të gjata në mënyrë që të krijohet një vorbull psikologjike. Por këto fjali shpesh bëhen të lodhshme, ndërsa reflektimi psikologjik kryhet në kufijtë e një obsesioni. “Shembja e Burrit” nuk është një roman i keq. Por është nga ata që të vel në gjysëm të rrugës dhe për të vazhduar duhet të kesh mide të fortë.

Kryezoti i Unazave-J.R.R. Tolkien

Duhet thënë që në fillim se trilogjia e Tolkien është një vepër e mirë. Është i mahnitshëm fakti që Tolkien ka ndërtuar një botë të tërë të përbërë nga popuj me fizionomi, doke e zakone nga më të larmishmet. Madje ai ka arritur të ngrejë në këmbë dy gjuhë të reja për t’i vënë pastaj në gojën e popujve të Dheut të Mesëm.  Mirëpo “Kryezoti i Unazave” është për të durueshmit. Secili nga tre librat që përbëjnë veprën përmban rreth 500 faqe. Tolkien atë që mund ta thoshte me 5 fjalë e thotë me 50. Librat janë të mbushur me dialogje, kryesisht në funksion të shpjegimit. Dhe meqe librat janë voluminoz shumë ngjarje dhe përshkrime sillen e risillen në mënyrë që lexuesi të rikujtohet.  Për lexuesin durimmadh ndoshta funksionon. Për atë dembel është më mirë të shihet filmi.

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , , , , , | Lini një koment

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.