Postime të Etiketuara Me: Skanderbeg Books

Inati-Philip Roth

inati-philip-rothAutori: Philip Roth

Titulli origjinal: Indignation

Përktheu:  Sokol Bega

Faqe: 188

Shtëpia Botuese: Skanderbeg Books

Foto: Shtëpia e Librit

Inati është historia e një djaloshi hebreo-amerikan i cili jeton nën kujdesin e tepruar të babait dhe vendos te vazhdojë kolegjin sa më larg shtëpisë për të shpëtuar prej tij. Ngjarjet zhvillohen në fillim të viteve 50-të, ndërkohë që SHBA-të janë të përfshira në Luftën e Koresë.

Asgjë të jashtëzakonshme deri këtu. Në fakt, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në të gjithë librin.  Janë aty temat që gjenden me shumicë në shumë libra të tjerë si kalimi në pjekuri, dashuritë e para, konflikti me babanë dhe me autoritetin. Për më tepër me përjashtim të disa segmenteve edhe stili është i stërlexuar. Narracioni është linear dhe ndjek trajta thuajse klasike. Atëherë a është ky një libër i dobët?

Nuk do të thoja kështu. Në fakt, ky është një libër që mund ta marrësh inat, sepse mund të lexosh me dhjetra faqe dhe nuk e kupton se ku do të dalë autori. Dikush mund ta lexojë edhe për inat  sepse ka lexuar psh 60 faqe dhe pasi nuk ka gjetur në to asgjë, do ta shtyjë me kokëfortësi deri në fund. Ndërsa dikush mund edhe ta lerë përgjysëm dhe për këtë nuk mund t’i vihet aspak faj.

Sidoqoftë gjatë gjithë leximit, edhe atëherë kur lexuesi ndihet i mërzitur apo i frustuar, ka një ndjesi se diçka do të ndodhë. Dhe kjo ndjesi mbahet gjallë ngaqë Filip Roth edhe  kur tregon gjëra të stërdëgjuara e bën këtë me një penë të stërvitur. Lexuesi e ndjen që një autor kaq inteligjent nuk e ka hedhur anijen në det të hapur për kaq gjatë për hiçgjë. Diçka pritet të ndodhë.

Dhe diçka vërtet ndodh. Por me një libër që në 50 faqet e para fillon mërzitshëm, e që për pak ka një grimcë gjenialiteti, që kthehet përsëri në mërzi klasike e që shpërthen  vetëm në fund, pra me një libër të tillë a ia vlen t’i hysh leximit?

Pse jo? Fundja-fundit është Filip Roth.

Vlerësimi: 6.8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , | Lini një koment

Platforma-Michel Houllebecq

Autori: Michel Houllebecq

Përktheu nga frëngjishtja: Xhelal Kurtina

Faqe: 258

Shtëpia botuese: Skanderbeg Books

Foto: Shtëpia e librit

Platforma është libri i tretë i Michel Houllebecq (Mishel Uelbek). Për librin e tij të parë është shkruar këtu në blog. Ndërsa libri i tij i dytë Thërrmijat Elementare mesa di është në proces përkthimi. Para së gjithash duhen thënë dy fjalë rreth Platformës së përkthyer në shqip. Ky libër ka një nevojë të jashtëzakonshme për redaktim dhe korrektim. Çdo faqe e tij gëlon nga gabime gramatikore dhe drejtshkrimore. Hera herës te duket se është çuar për shtyp gabimisht versioni i papërfunduar e jo ai përfundimtar i përkthimit. Për të ardhur keq, kur mendon se Platforma vjen në shqip nga një shtëpi botuese serioze.

Platforma tregon historinë e Mishelit, një zyrtar që për t’i shpëtuar vetmisë që e ka mbërthyer në France ndërmerr një udhëtim turistik në Tailandë. Aty ai njihet me Valerinë, një punonjëse në një agjensi turizmi, dhe më vonë krijon një lidhje me të. Kjo lidhje do ta kthejë Mishelin nga një burrë të pakënaqur nga jeta në një burrë të kënaqur. Për më tepër, shoqërimi me të dhe me Zhan Ivin, kolegun e Valerisë do ta nxisë Mishelin të zhvillojë edhe idetë e tij rreth turizmit seksual si hapi tjetër i madh në industrinë e turizmit. Kjo ide vihet në punë me entuziazëm dhe shumë shpejt rezulton një sukses.

Në njëfarë mënyre Platforma është vazhdimi i letërsisë ekzistenciale në shekullin e 21-të. Libri hapet me vdekjen e babait të personazhit kryesor, gjë që të kujton hapjen e I huaji  të Kamysë. Por ky është një ekzistencializëm më hard core, e deri diku më i egër. Në ndryshim nga libri i parë, Uelbek i shtrëngon shumë më pak frenat. Ai është më i drejtpërdrejtë si në ide, si në përshtypje. Ka më shumë mllef ndaj botës, më pak besim tek njerëzit dhe më shumë besim tek e vetmja spirancë e lumturisë në këtë jetë që sipas Uelbekut është vetëm seksi e ç’rrjedh prej tij. Në fakt, nëse do të vazhdonim krahasimin me librin e parë, nëse Zgjerimi i Fushës së Luftës kishte të bënte me mospërmbushjen e nevojave seksuale të personazhit kryesor, Platforma është pikërisht e kundërta. Ajo është si  njëmijë e një net seksuale, si një ëndërr mashkullore e kthyer në realitet derisa Uelbeku e shkatërron me duart e tij në fund. Në këtë prizëm, Platforma është më pak natyral sesa libri i parë dhe rrjedhimisht identifikimi i lexuesit me ato që kalon personazhi bëhet më i vështirë.

Por sidoqoftë çdo gjë është më e pranueshme në ato pjesë ku Uelbeku e mban librin në një plan më intim, më individual. Këto janë edhe pjesët më të mira të librit. Ka edhe pjesë të tjera të ndërthurura me të siç janë fragmente të tëra rreth bazave ekonomike të turizmit, të cilat përveç specialistëve të fushës nuk di se kujt mund t‘i duken interesante. Të tjera pjesë janë opinionet për popuj, kultura e fe të ndryshme. Këto vijnë edhe prej personazhit kryesor por janë kryesisht të vëna në gojë të personazheve të tjera, kalimtare e papeshë.

Ashtu si edhe libri i parë, Platforma ka në thelb një aksiomë të vetme e të debatueshme. Atë që njeriut i duhet më pak sesa ai mendon për t’iu afruar lumturisë. Deri këtu mirë. E debatueshme por mirë. Ka një arsye logjike dhe shkon për bukuri me përjetimet e personazhit. Si kundrapeshë e kësaj lumturie librin e përshkon kudo ndjenja e pasigurisë që jepet ndërmjet episodeve absurde të dhunës. Edhe këtu mirë. Mirëpo Uelbek dashje pa dashje nuk i shpëton ngasjes për të dhënë “shpjegime” për këtë dhunë, “shpjegime” këto që nuk janë gjë tjetër veçse një tufë stereotipesh që fundja-fundit nuk shkojnë as mirë me logjikën e brendshme e intime të personazhit e që duken si sajesa për të kokolepsur librin apo për të nxjerrë në sipërfaqe mllefet e autorit.

Vlerësimi 7

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , | Lini një koment

Stambolli – Orhan Pamuk

Autori: Orhan Pamuk

Përktheu nga turqishtja: Rubin Hoxha

Faqe: 412

Shtëpia Botuese: Skanderbeg Books

Foto: Shtëpia e Librit

Të shkruash për veten duke shkruar për qytetin. Ose e anasjellta. Ky është “Stambolli” i Orhan Pamukut. Një libër tërësisht reflektiv e i mbushur me copëza kujtimesh personale e kolektive që lidhen mes tyre si arabeska.

Ka disa tema që përbëjnë boshtin e librit. Është aty jeta familjare, apartamentet ku banojnë dhe përpjekjet artistike të vet rrëfimtarit. Të tjera tema janë karakteri thelbësisht i trishtë i qytetit, melankonia për të shkuarën, problemet identitare të tij si dhe kronikat nga vendasit e të huajt. Pamuk i merr të gjitha këto shtruar, i sqaron, i detajon e më në fund i lidh me njëra-tjetrën në kombinime nga më të ndryshmet. Përpara të shfaqet një botë e tërë me konaket e vjetra, kalldrëmet e ngrohta, kaosin popullor, shkrimtarë të vetmuar që enden periferive e anije që kalojnë Bosforin herë si protagoniste e herë si hije.  Libri shoqërohet me gravura të vjetra, copëza kronikash dhe foto të bëra pjesërisht nga ai vetë ose të afërm të tij.

“Stambolli” është  një  libër voluminoz. Pamuk është shprehur dikur se ai e konsideron veten një maratonomak. Shkruan gjatë e përshkron kilometra të tërë. Fatkeqësisht i tillë duhet të jetë edhe lexuesi i tij. Qejfli maratonash. Përndryshe e humb toruan.  Ne fakt problemi kryesor me librin është pikërisht stërzgjatja e tij. Sikur të mos mjaftojë kjo, Pamuk i sillet e i risillet të njëjtave tema disa herë. Në të ka pjesë të shkëlqyera meditative por përsëritja e stërholluar ia humb tempin dhe e bën atë të vështirë për t’u përtypur.

Një libër që e çon lexuesin në një botë pak të njohur mes kujtimeve personale. Here-herë e mahnit e herë-herë e mërzit.

Vlerësimi: 7

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , | Lini një koment

Zgjerimi i fushës së luftës-Michel Houllebecq

Autori: Michel Houllebecq

Përktheu nga frëngjishtja: Urim Nerguti

Faqe: 152

Shtëpia botuese: Skanderbeg Books

Foto: Skanderbeg Books

Ka qëlluar që ky të jetë romani i parë i Mishel Uelbekut (Michel Houllebecq) dhe romani i parë që lexoj prej tij. Mesa di, nga ky autor janë përkthyer më parë në shqip Platforma dhe Ishulli i mundshëm.

Është e vështirë të përshkruhet se për çfarë bën fjalë ky roman.  Në mënyrë të përmbledhur ai përshkruan rrëshqitjen  në depresion të personazhit kryesor. Por është edhe shumë më tepër se kaq. Është një koleksion reflektimesh mbi veten dhe mbi natyrën njerëzore si dhe sistemet politike. E gjitha kjo me një sinqeritet të pamëshirshëm.

Personazhi kryesor është një tridhjetëvjeçar programues kompjuterik që jeton i vetëm. Me një punë të mirë por pa ndonjë sharm vetjak e pa një jetë të kënaqshme dashurore. Puna e rrethon me njerëz aspak simpatikë si shpirtërisht ashtu edhe fizikisht dhe qënia e tij si një njeri jo i bukur e “ndihmon”  t’i përqaset jobukurisë së të tjerëve pa dorashka. Kështu ndodh edhe me një koleg pune të shëmtuar me të cilin i bie rasti të udhëtoj. Ato që shpalosen më pas, hap pas hapi në libër janë një tufë episodesh herë me lidhje e herë pa lidhje por që kanë të bëjnë kryesisht me udhëtimin si përvojë.

Libri është i shkruar në një një stil minimalist, përveç rasteve kur futen pasazhe nga libra të tjerë apo sprova “filozofike”. Në këto raste stili merr një stërhollim gati-gati akademik, tipik për gjuhën e librave filozofikë. Ka momente kur minimalizimi sjell monotoni por pikërisht atëherë Uelbek lëshon “bombat” (aq karakteristike për të) rreth vetes, të tjerëve e sidomos liberalizmit ekonomik dhe politik. Reflektime këto, që të ardhura nga dikush jo inteligjent dhe të shkëputura nga konteksti mund të dukeshin klishe adoleshentësh të pakënaqur. Sidoqoftë Uelbek  arrin t’ia dali mirë. Ka diçka në përqasjen e tij që të kujton traditën e ekzistencialistëve francezë të Luftës së Dytë Botërore.

Zgjerimi i Fushës së Luftës mund të lexohet në shumë mënyra.  Mendoj se ai është kryesisht një libër për udhëtimin. Udhëtimin e njeriut drejt brendësisë së tij.  Ajo që ai gjen është e errët. E ai nuk ka frikë ta pohojë këtë. Ashtu thjesht e sinqerisht.

Vlerësimi: 8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , | 2 Komente

Krijoni një sajt ose blog falas te WordPress.com.