Postime të Etiketuara Me: Tarkovski

Na ishte njëherë në Anadoll-Film

Na ishte njëherë në Anadoll është filmi i fundit i regjizorit turk Nuri Bilge Ceylan (Xhejlan).  Një analizë e kinematografisë së tij por edhe këtij filmi mund të lexohet tek ky postim në një blog për kinemanë. Në njëfarë mënyre ky shkrim është vazhdim i atij diskutimi.

Na ishte njëherë në Anadoll vërtitet rreth një historie policore. Një grumbull burrash vijnë vërdallë në hapësirat e pamata të Anadollit në zbulim të një trupi dhe në rindërtim të një skene krimi. Por ky është vetëm sebepi sepse thelbi i filmit është diku tjetër. Në fakt kërkimi policor funksionion më tepër në një plan simbolik. Personazhet nisen me një mision dhe ato që zbulojnë nuk janë thjesht pjesëza të ngjarjes së krimit por edhe pjesëza të vetvetes. Në plan të parë duket sikur nuk ndodh asgjë. Hapësirat e Anadollit janë të gjera, pllajat të heshtura e në dukje të paqta. Kërkimi në to mbase i kotë. Sidoqoftë avash avash Xhejlan jep idenë se mbrapa këtij peizazhi ka ç’të zbulohet (ka në film dy personazhe me lopata në duar që s’flasin kurrë por vërtiten e gërrmojnë vazhdimisht).

Tarkovski vjen gjithmonë me ne…

Po kjo tashmë dihet. Nëse ka diçka për të cilën kritikohet Xhejlan është influenca e madhe e Tarkovskit në filmat e tij. Kjo është aq evidente sa të kujton atë frazën e humorit shqiptar “Beni vjen gjithmonë me ne!”. Edhe në këtë film natyrisht që ndodh e njëjta gjë.

Sidoqoftë unë mendoj se Xhejlan nuk e fsheh këtë gjë. Si të thuash, ai ndërton mbi influencat e tij. Unë mendoj se ai është besimtar i mënyrës së të bërit film si Tarkovski. Pra kemi te bëjmë me një rrugë të caktuar që Xhejlan mendon se kinemaja duhet të ecë. Kjo natyrisht që është e debatueshme por në fakt nuk ka asgjë të keqe. Sepse perveç dy filmave të parë, filmat e tjerë të Xhejlanit qëndrojnë në këmbë vetë pavarësisht influencave (Tre majmunët nuk e kam parë).

Të njëjtën tablo kemi edhe në këtë film. Madje ky është filmi më me shumë influenca të Xhejlanit dhe ai nuk e fsheh këtë. Duke filluar që nga titulli ka në të influenca të Serxhio Leones (fytyra me reliev e mustaqellinj që shfaqen në çdo skene), Antonionit (udhëtime në grup njerëzisht të vetmuar), Tarkovskit, Lynch (ka gjithnjë diçka përtej asaj që shihet) e madje edhe të Çehovit.  Por Na ishte njëherë në Anadoll nuk është një film që thjesht mikson elemente regjizoriale te ndryshme (sic ndodh rëndom në filmat e Tarantinos psh). Ai është një film kompleks që shkon në një rrugë të caktuar, pra ndjek rrjedhën e tij.

Durim durim…

Por ai që dëshiron të shohë këtë film duhet të marrë bukë me vete e mundësisht edhe një batanije. Filmi zgjat dy orë e gjysëm dhe mbi të gjitha është një film i avashtë. Dmth, Nuri Bilge Xhejlan nuk nxitohet. I merr gjërat shtruar. Nëse Xhejlani nuk do të ishte i qartë deri në detaje kjo avashtësi do ta vdiste filmin. Kjo sepse ajo do ta nxirrte atë jashtë fokusit duke e zbehur filmin deri në mungesë vëmëndjeje nga ana e shikuesit.

Por çuditërisht Xhejlani është këmbëngulës. Ai ruan të njëjtën koherencë estetike gjatë gjithë filmit. E thënë thjesht: ai e di çfarë do e ku do të dalë. Duke parë xhirrimet e xhirrimeve kjo duket qartë. Xhejlan është sfilitës me aktorët. Bën dubla pa fund, është perfeksionist edhe me detajet më të vogla. Asnjë gjë në filmin e tij nuk i lihet rastësisë. Thuajse çdo gjë është e menduar mirë. Në fakt nëse ka diçka për të cilën mund të kritikohet tashmë Xhejlani, ajo nuk është influenca tarkovskiane por mungesa e sporadikes.

E përditshmja dhe ajo që është përtej (si dhe dy-tre gjëra që bëjnë diferencën)

Ajo që vihet re në këtë film është dialogjet të cilat janë më të shumta se në çdo film tjetër të Xhejlanit. Në fakt duket që regjizori është përpjekur shumë që t’i përshtasë ato në kontekstin e vetë filmit.

Së dyti është një nga shqetësimet e përhershme të Xhejlanit: përditshmëria dhe marrdhëniet e përditshme mes njerëzve. E gjitha kjo e shoqëruar nga ideja e së përtejmes. Psh në një nga skenat hyrëse, policët grinden për minuta të tëra në makinë për kosin dhe cilësinë e tij ndërsa kamera fokusohet gradualisht në fytyrën e të dyshuarit për vrasje që qëndron mendueshëm në mes tyre.

Së treti, kokolepsja familjare. Psh Hetuesi e ka një hall familjar, mjeku gjithashtu, po kështu shefi i policisë dhe madje edhe shoferi. Në fakt , përtej asaj që duket, Na ishte njëherë në Anadoll është filmi që preokupohet më shumë me familjaren se filmat e tjerë të  serisë  Na ishte njëherë.

Së katërti, prania e femërores (peshqesh nga Tarkovski). Në këtë film femrat shfaqen rrallë e thuajse nuk flasin fare. Sidoqoftë prezenca e tyre është e ndjeshme. Hetuesi e ka pengun me gruan, mjeku gjithashtu, shoferi i përvidhet fshatit të gruas së tij ndërsa polici e ka gruan “police”. Madje edhe krimi mesa duket është rreth një gruaje. Ndërsa skena me vajzën e fshatit mendoj se do mbahet mend gjatë në kinema.

Nuri Bilge Xhejlan ka tashmë të njëjtin status në Turqi që gëzonte Wong Kar-Wai vite më parë në Hong Kong. Të gjithë aktorët dëshirojnë të punojnë me të. Jo vetëm sepse është regjizor që e ka çmimin e garantuar por edhe pse ata e perceptojnë të bërit film me Xhejlanin jo thjesht si një rrugëtim profesional artistik por edhe shpirtëror. E në fakt ky është kontributi real i Xhejlanit në kinematografi në këto dekada të ftohjes globale.

Kategori: Film | Etiketa: , , , , , , | 6 Komente

Blog te WordPress.com.