Postime të Etiketuara Me: Urim Nerguti

Zgjerimi i fushës së luftës-Michel Houllebecq

Autori: Michel Houllebecq

Përktheu nga frëngjishtja: Urim Nerguti

Faqe: 152

Shtëpia botuese: Skanderbeg Books

Foto: Skanderbeg Books

Ka qëlluar që ky të jetë romani i parë i Mishel Uelbekut (Michel Houllebecq) dhe romani i parë që lexoj prej tij. Mesa di, nga ky autor janë përkthyer më parë në shqip Platforma dhe Ishulli i mundshëm.

Është e vështirë të përshkruhet se për çfarë bën fjalë ky roman.  Në mënyrë të përmbledhur ai përshkruan rrëshqitjen  në depresion të personazhit kryesor. Por është edhe shumë më tepër se kaq. Është një koleksion reflektimesh mbi veten dhe mbi natyrën njerëzore si dhe sistemet politike. E gjitha kjo me një sinqeritet të pamëshirshëm.

Personazhi kryesor është një tridhjetëvjeçar programues kompjuterik që jeton i vetëm. Me një punë të mirë por pa ndonjë sharm vetjak e pa një jetë të kënaqshme dashurore. Puna e rrethon me njerëz aspak simpatikë si shpirtërisht ashtu edhe fizikisht dhe qënia e tij si një njeri jo i bukur e “ndihmon”  t’i përqaset jobukurisë së të tjerëve pa dorashka. Kështu ndodh edhe me një koleg pune të shëmtuar me të cilin i bie rasti të udhëtoj. Ato që shpalosen më pas, hap pas hapi në libër janë një tufë episodesh herë me lidhje e herë pa lidhje por që kanë të bëjnë kryesisht me udhëtimin si përvojë.

Libri është i shkruar në një një stil minimalist, përveç rasteve kur futen pasazhe nga libra të tjerë apo sprova “filozofike”. Në këto raste stili merr një stërhollim gati-gati akademik, tipik për gjuhën e librave filozofikë. Ka momente kur minimalizimi sjell monotoni por pikërisht atëherë Uelbek lëshon “bombat” (aq karakteristike për të) rreth vetes, të tjerëve e sidomos liberalizmit ekonomik dhe politik. Reflektime këto, që të ardhura nga dikush jo inteligjent dhe të shkëputura nga konteksti mund të dukeshin klishe adoleshentësh të pakënaqur. Sidoqoftë Uelbek  arrin t’ia dali mirë. Ka diçka në përqasjen e tij që të kujton traditën e ekzistencialistëve francezë të Luftës së Dytë Botërore.

Zgjerimi i Fushës së Luftës mund të lexohet në shumë mënyra.  Mendoj se ai është kryesisht një libër për udhëtimin. Udhëtimin e njeriut drejt brendësisë së tij.  Ajo që ai gjen është e errët. E ai nuk ka frikë ta pohojë këtë. Ashtu thjesht e sinqerisht.

Vlerësimi: 8

Kategori: Letersi | Etiketa: , , , , , , , | 2 Komente

Blog te WordPress.com.