Faqe: 220
Shtëpia Botuese: Naim Frashëri
Ka edhe ribotime të librave të Koreshit. Megjithatë nuk e di pse dora më shkoi pikërisht tek ky botim në raftet e librarisë ku e bleva. Ka diçka rreth librave të vjetër të botuara para viteve 90-të. Ata nuk janë as të bukur e as cilësorë dhe të gjithë kanë vetëm një stil shkronjash, atë të makinës klasike të shkrimit. E sidoqoftë kanë një magnetizëm që nuk i shmangesh dot. Ndoshta është thjesht nostalgjia, iluzioni për të jetuar përsëri të shkuarën ose ideja se ke në raftet e tua një pjesë sado të vogël të historisë.
Libri është i përbërë prej dy novelash; Haxhiu i Frakullës dhe Dasma e Sakos.
Haxhiu i Frakullës
Haxhiu është një poet i ri e i zoti në Beratin e kohës së Perandorisë Osmane. Jeta e tij do të tronditet ditën që vjen në qytet një nga kronikanët turk më të mëdhenj të perandorisë i shoqëruar nga vajza e tij bukuroshe dhe lozonjare. Kjo e fundit i shpreh dashurinë Aliut dhe i premton se do ta presë dëshpërimisht në Samarkandë, aty ku përfundon udhëtimi i tyre. Pas një hezitimi fillestar, në kundërshtim me këshillat e të afërmve, Haxhiu niset për në vendin e largët.
Haxhiu i Frakullës është një novelë për ndjekjen e një ëndrre (apo iluzioni?). Shkrimi është i mbushur me orientalizma për t’i dhënë atij atmosferën e kohës. Berati dhe njerëzit e tij ndihen në çdo kalldrëm që i shtron udhën librit, herë si përditshmëri e herë si kujtim (pjesa e Samarkandës). Pavarësisht orientalizmave dhe fjalëve historike e krahinore, libri lexohet lehtësisht. Stili i të shkruarit i është përshtatur atmosferës historike të Ballkanit dhe Orientit. Megjithatë hera herës ai vuan nga stërhollime që më tëpër sesa idenë e Orientit tregojnë një karakteristikë që haset shpesh në letërsinë shqipe të para viteve 90-të.
Dasma e Sakos
Një novelë që ka frymëzuar edhe një film me të njëjtin titull me regji të Vladimir Priftit. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Lushnjës në prag të Luftës së Dytë Botërore. Sakoja është një hyzmeqar beqar që punon prej kohësh për llogari të beut të zonës. Ky i fundit, ashtu si edhe babai i tij më përpara, i ka premtuar qëmoti Sakos se në shkëmbim të punës së tij të lakmueshme do t’i gjejë një nuse e do t’i bëjë dasmën. Mirëpo vitet kalojnë e nuse s’ka.
Ashtu si novela e parë edhe kjo duket se është mbështetur fort në tabanin popullor. Aroma e fshatit dhe e tokës ndihen shumë dhe shkrimi është i mbushur me shprehje e fjalë myzeqare. Megjithë këto, stili ka një rrjedhshmëri gati-gati të habitshme dhe lexuesit nuk i rëndohet koka prej leximit. Përkundrazi përshkrimet e dialogjet shkasin.
Një nga problemet e pakta të kësaj novele të këndshme qëndron në faqet e fundit ku autorit i duhet te paguajë “haraçin” ndaj regjimit. Krejt artificialisht sajohet aty një personazh i “ndriçuar” që e udhëzon Sakon nëpërmjet propagandës. Për fat të mirë kjo zgjat fare pak. Sidoqoftë ky dhe disa pasazhe të tjera mjaftojnë për ta prishur disi atmosferën e leximit.
Vlerësimi për secilën 7.5